Masat e reja në shkolla, Rama: Në qasjen ndaj tragjedisë ka një farsë, ka dhe një marrje përgjegjësie

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me prindër dhe mësues për sigurinë në shkolla, se miratimi i Planit të Ri të Veprimit në shkolla dhe hartimi brenda një kohe të shkurtër, do të vlejë për një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt në të gjithë vendin.
“Ky është një takim që sintetizon të gjithë procesin e këshillimit të zhvilluar në të gjithë territorin e Shqipërisë, prej ku doli edhe plani i ri i veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë. Siguria e kuptuar si një tërësi elementësh, jo thjesht si siguri fizike. U bë shkak një tragjedi që të vihet në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërësi komunitetesh në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nga ana tjetër që të vihej në lëvizje e njëjta fuqi e brendshme destruktive e vetë shoqërisë e mishëruar në parlamentin e Shqipërisë dhe në media. Si gjithnjë, qasja ndaj një ngjarjeje ka zgjedhje të ndryshme. Si gjithnjë në qasjen ndaj një ngjarjeje ka një farsë, ka dhe një marrje përgjegjësie”, u shpreh Rama.
“Dhe si gjithnjë, edhe në këtë rast, farsa nuk mungoi me gjithë atë forcë destruktive që në fakt rivret të vrarët, riplagos të plagosurit dhe nuk lejon që reflektimi dhe nxjerrja e mësimeve të zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se institucionet, qeveria, shteti, janë struktura në zhvillim, përmirësim dhe në vetëkorrigjim të vazhdueshëm. Edhe vetë procesi i qeverisjes është një proces zhvillimi dhe përmirësimi të vazhdueshëm. Nuk ka asnjëherë në asnjë vend, një shtet, një sistem, institucion që mos të ketë asgjë për të korriguar dhe zhvilluar dhe të gjitha gjërat të funksionojnë sahat. Ashtu si nuk ka si të ketë, një përgjegjësi të vetme, por një tërësi përgjegjësish”, vijoi ai.
“Çka ka dalë më së miri në gjithë këtë proces, është se në përjetimin, në kuptimin dhe reflektimin ndaj një tragjedie si kjo, ka dy Shqipëri: ka një në Parlament dhe media dhe një në komunitet. Aty ku njerëzit e prekur drejtpërdrejtë, prindërit në këtë rast, apo mësuesit sepse janë pjesë e një sistemi që duhet të jetë i aftë që t’i parandalojë ngjarje të tilla, reflektojnë dhe diskutojnë në një mënyrë krejt tjetër”, tha Rama.
Kryeministi shtoi se, qeveria dhe MAS kanë ndërtuar si nxitje të këtij këshillimi, diskutimin mbi TikTok-un. “Çfarë unë kam dëgjuar nga shumë prindër është se TikTok-u po e po, po si do t’i bëhet me gjithë këtë dhunë dhe ç’edukim masiv, prurje lumë nga mediat që shkon në drejtim të kundërt me atë çka ne duam për fëmijët tanë.
Duhet të kemi të qartë një gjë: nuk mund të parandalohen, nuk mund të shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin. Ajo që i dallon qasjet ndaj tyre, në nivelin komunitar, institucional apo qeveritar është si reagojmë ndaj tyre.
A bëhet ngjarja një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë ajo sferë e veprimtarisë shoqërore të bëhet më e mirë, apo bëhet një sebep që shoqëria e tërë të futet në një përleshje se kush e ka fajin. Këto të dyja na ndajnë ne edhe në këtë aspekt. Unë sot ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi të gjerë me gjithë faktorët që janë të lidhur me këtë sferë kaq të rëndësishme të edukimit dhe sigurisë së fëmijëve, kemi një plan konkret, me masa konkrete, kemi sigurinë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor më të mirë dhe më të sigurt”. /j.p/