E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lihen në burg atentatorët e fabrikës

Të arrestuarit për shpërthimet, dje në Gjykatën e Krujës

Gjykata e Krujës la dje në burg katër prej pesë të arrestuarve të akuzuar për vendosjen në seri të lëndëve eksplozive në shtyllat e tensionit të lartë dhe urave që lidhin fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë.Ata janë marrë në pyetje një nga një në lidhje me ngjarjet që kanë tronditur Fushë-Krujën  muajt e fundit, por asnjëri nuk ka pranuar të jetë i implikuar në shpërthimet me tritol. Trupi gjykues shqyrtoi provat e prokurorisë për pesë të arrestuarit: 54-vjeçarin Bashkim Zalla, banues në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, i dënuar më parë për vrasje, djalin i tij, Edvin Zalla, 31 vjeç, 26-vjeçarin Fredjon Zalla (djali i vëllait të Bashkimit), i akuzuar më parë për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake, Afrim Xhixha, 35 vjeç, banues në fshatin Nikël të Fushë-Krujës dhe Xhabir Vellku, 37 vjeç, nga fshati Budull i Krujës. Gjatë njohjes me masën e arrestit të akuzuarit kanë reaguar duke mos e pranuar akuzën. Por, në përfundim të seancës, trupi gjykues vendosi masën e arrestit me 30 ditë burg për Bashkim Zallën, ndërsa për katër të tjerët, Edvin Zalla, Fredjon Zalla, Afrim Xhixha dhe Xhabir Vellku, burg pa afat. Sa herë kanë ndodhur shpërthimet unë kam qenë në shtëpi. Policia e di këtë shumë mirë, pasi sa herë kanë ardhur për të më shoqëruar, më kanë gjetur në shtëpi, u shpreh dje në Gjykatën e Krujës 54- vjeçari Zalla. Sipas tij, lëndët eksplozive mund të mos jenë vendosur nga banorët e fshatit Zallë dhe se hedhja në erë e shtyllave dhe urave është bërë vetëm e vetëm që ata të mos kërkojnë pronat e tyre.
Ne e kemi me vendim gjyqësor pronësinë e tokës së zënë nga fabrika. Shteti, në vend që të na dëmshpërblente, futi firmën libaneze me koncesion. Firma nuk ka kryer bisedime me ne për të bërë një marrëveshje apo të paktën të na merrte fëmijët në punë. Na dhanë dëmshpërblim deri para gjashtë muajsh, pa ia kërkuar ne, për ndotjen që shkaktuan, ndërsa tani na e kanë ndërprerë atë. Unë do të bëj vetëm një pyetje: A është në punë kjo fabrikë dhe a vazhdon ndotja prej saj?, u shpreh më tej banori i fshatit Zallë, Bashkim Zalla. Sipas tij, ai dhe banorët e fshatit Zallë e kanë ruajtur fabrikën që të mos shkatërrohej edhe në vitin 97 dhe se tani nuk kanë asnjë interes që kjo fabrikë të mos punojë. Ne jemi pronarët e tokës. Do të vijojmë të kërkojmë një më një dëmshpërblimin që na takon, por nuk kemi interes ta shkatërrojmë fabrikën, as urat e as shtyllat që kanë lidhje me të. Ne kalojmë vetë nëpër këto ura. Shpërthimet mund të dëmtojnë dhe njerëzit tanë, ndaj nuk kemi pse të bëjmë veprime të tilla të rrezikshme, u shpreh më tej 54-vjeçari. Ai i bëri apel policisë të gjejë prova, pasi sa herë ndodhin shpërthime, po arrestojnë të njëjtët persona.

Familjarët: Do bllokojmë rrugën

Pas dhënies së masës së sigurisë në Gjykatën e Krujës për të arrestuarit e pak ditëve më parë, dje reaguan edhe familjarët e tyre. Sipas tyre, ata do të protestojnë duke e përshkallëzuar atë deri në bllokimin e rrugës nacionale, pasi të afërmit e tyre janë të pafajshëm. Familjarët e të arrestuarve i bënë thirrje shtetit të vendosë drejtësi dhe të vihen para përgjegjësisë autorët që po vijojnë të kryejnë shpërthime të tjera. Masa e arrestit është marrë dje nën masa të rrepta sigurie nga ana e policisë së Krujës, si dhe të forcave speciale të ardhura nga Durrësi.
Edhe të arrestuarit e tjerë kërkuan dje pafajësi në gjykatë, por trupi gjykues, për mungesë provash, vendosi vetëm për Bashkim Zallën 30 ditë burg.

Shpërthimet, policia merr masa për ruajtjen e shtyllave e urave në Fushë-Krujë

Sulmet e vazhdueshme me eksploziv në ura, shtylla të tensionit të lartë dhe së fundmi edhe në hekurudhën e Fushë-Krujës, kanë tërhequr seriozisht vëmendjen e policisë që do të marrë në ruajte këto objekte. Strukturat e rendit janë detyruar të ndërmarrin një plan të ri masash për objektet publike në këtë zonë pas ngjarjeve të fundit. Drejtuesit e lartë të policisë kanë analizuar situatën dhe kanë vendosur të marrin masa që nuk kanë ndodhur më parë. Policia e Tiranës është përfshirë në planin e masave bashkë me policinë e Krujës dhe Durrësit. Gjatë një analize të detajuar për 8 shpërthimet e fundit të ndodhura në Fushë-Krujë, pranë fabrikës së çimentos, detyra për mbikëqyrjen e zonave të rrezikuara i është ngarkuar Sektorit të Krimit të Organizuar të kryeqytetit. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet situata e krijuar ditët e fundit pranë fabrikës së çimentos dhe dyshimeve se personat e arrestuar si të dyshuar për shpërthimet, mund të mos kenë lidhje me ngjarjet, policia ka marrë në mbikëqyrje zonat më të riskuara nga vendosja e eksplozivit. Oficerë dhe agjentë të Antikrimit të Organizuar të Tiranës kanë marrë detyra të posaçme dhe u është besuar ruajtja e shtyllave të tensionit të lartë, urave dhe hekurudhave, por edhe mbikëqyrja e të gjithë zonës përreth fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Durrësit, që ka në juridiksion zonën ku kanë ndodhur shpërthimet e njëpasnjëshme kanë hartuar një plan special, i cili nisi të zbatohej prej mbrëmjes së mbrëmshme. Në një mbledhje të dytë, që u zhvillua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, dje rreth orës 19:00, oficerëve dhe agjentëve të Antikrimit të Organizuar iu ndanë turnet që do të qëndrojnë në gatishmëri, duke vëzhguar objektet e përcaktuara në Fushë-Krujë. Burime nga policia thanë se shërbimet do të ndryshohen çdo gjashtë orë dhe oficerëve të Tiranës, do tu vinë në ndihmë edhe efektiva të policisë së zonës. Të njëjtat burime sqaruan se këto masa të përforcuara u morën me qëllim parandalimin e të tjera shpërthimeve që mund të ndodhin dhe zbulimin e autorëve të vërtetë të ngjarjeve që po tronditin ditët e fundit banorët e Fushë-Krujës.    e.d

KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›