Mashtrimi në Tiranë, 11 vjet burg zyrtares së rreme të Kryeministrisë

Gjykata e Tiranes
TIRANE – Ajo hiqej si zyrtare e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Jashtme e herë si gazetare, ndërsa ai, si ndihmësi i saj besnik që mbyllte procedurat ligjore. Në dy skema thuajse perfekte mashtrimi, një çift bashkëshortësh dyshohet se kanë marrë afro 70 mijë euro nga dy qytetarë, duke u premtuar nxjerrjen e një familjari nga burgu, si edhe leje minerare. Për tu bërë të besueshëm tek viktimat e tyre, përfshinin në biseda edhe emra realë avokatësh apo zyrtarësh, që në të vërtetë as nuk i kishin takuar ndonjëherë. Paratë e zhvatura i kishin depozituar në Gjermani, në emrat e fëmijëve të tyre. Të paktën kështu thuhet në vendimin e Gjykatës, që deklaroi fajtorë për mashtrim me pasoja të rënda dhe fshehjes së produkteve të veprës penale dy bashkëshortët Majlinda e Agim Pashollari, 51 e 58 vjeç, banorë të kryeqytetit. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dënoi ata me një total prej 21.5 vjetësh burg dhe nga 1 milion lekë gjobë.
MASHTRIMI 3 MILIONE
Sipas vendimit të gjykatës, i siguruar i plotë nga gazeta, i pari person i mashtruar nga çifti Pashollari ishte një e njohura e tyre e hershme, pasi kishin të njëjtën origjinë. E dëmtuara Fatime P. kishte një vëlla të dënuar me burg dhe këtë hall ia ka treguar në vitin 2006 të akuzuarës Majlinda Pashollari. E pandehura Majlinda është shprehur se punonte në Kryeministri dhe i ka premtuar të dëmtuarës se do ta ndihmonte për vëllain që kishte në burg, pasi njihte persona te ndryshëm me të cilët do të bisedonte për këtë qëllim, thuhej në vendimin e gjykatës. Po sipas vendimit, e pandehura Pashollari ka marrë përsipër se do tia nxirrte në një kohë të shkurtër vëllain nga burgu. Me këtë premtim, sipas Gjykatës, e pandehura i ka marrë të dëmtuarës në kohë të ndryshme një total prej 3 milionë lekësh të rinj. Për ta bindur, e pandehura Majlinda i kishte thënë se për këtë problem kishte folur me një avokat, si edhe me Avokatin e Popullit. Po sipas Gjykatës, në funksion të justifikimit të parave të marra bashkëshortët i kanë servirur të dëmtuarës një vendim gjykate të falsifikuar, sipas të cilit vëllai i saj lirohej në qershor 2007.
MASHTRIMI 45 MIJË EURO
Rasti i dytë i mashtrimit për të cilin u deklaruan të fajshëm bashkëshortët Pashollari, ishte ai i një biznesmeni ndërtimi. Përmes një personi të tretë, biznesmeni B.G., është prezantuar në qershor 2009 me Majlinda Pashollarin. Gjatë bisedës, e pandehura është prezantuar si këshilltare e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe si gazetare e se me njohjet dhe mundësitë e saj mund ti siguronte të dëmtuarit leje për shfrytëzimin e minierave të kromit. Pas kësaj bisede, me premtimin se do ti nxirrte licencë për shfrytëzimin e 2 galerive, e pandehura Pashollari dyshohet se ka marrë prej biznesmenit në kohë të ndryshme shumat prej 1.5 milonë lekësh të rinj, 2 milion lekësh të rinj, 5 mijë euro dhe 10 mijë euro. I dëmtuari ka pretenduar se i janë marrë me mashtrim 45 mijë euro. Sipas Gjykatës, nga Prokuroria është provuar mashtrimi me 29 mijë euro, ndërsa për pjesën tjetër ka dyshime lidhur me personin që i ka përvetësuar.