E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët, 10 çrregullimet më të shpeshta mendore

Specialistët e ISHP: Familjet shqiptare anashkalojnë problemet

Mjekët: Prindërve u mungojnë njohuritë për sëmundjet

Për të trajtuar një çrregullim mendor tek të rriturit, duhet gjetur burimi. Thuajse gjithmonë ai i përket të shkuarës së largët, fëmijërisë. Ky pasazh i një libri, është gjithashtu një nga parimet kryesore të terapive psikiatrike. Në dy dekadat e fundit, mënyra si rriten dhe edukohen fëmijët në Shqipëri, ka pësuar një kthesë të madhe. Autoritarizmi prindëror trashëguar në breza është zëvendësuar me një komunikim gjithnjë e në rritje me të vegjlit. Nëse dikur fjala e prindit ishte ligj, dhe ndëshkimet e deri dhuna fizike shiheshin si mënyra mjaft efikase edukimi, sot fëmijët e kanë fituar lirinë për të bashkëbiseduar në familje si të rritur. Prindërit shqiptarë dëshmojnë çdo ditë e më shumë se dinë të dëgjojnë, ndoshta edhe atëherë kur nuk duan. Gjithsesi, kaq nuk mjafton. Përtej këtij progresi, i cili vlerësohet nga ekspertët e shëndetit mendor si një hop i rëndësishëm në zhvillimin e një shoqërie më pak agresive, janë me dhjetëra shkaqet sociale që diktojnë një sërë çrregullimesh që shfaqen tek fëmijët. Shifrat flasin se deri në 25% e fëmijëve dhe adoleshentëve në një moment të jetës përjetojnë një formë apo një tjetër çrregullim mendor. Pjesa më e madhe e tyre kalohen pa u vënë re. Disa me kalimin e viteve nuk lënë asnjë gjurmë, për raste të tjera pasojat janë të pakthyeshme. Përballë këtij fenomeni, që për hir të së vërtetës ka tendenca të zgjerohet, mjekët pranojnë hapur se niveli i njohurive e kultura për të treguar vëmendjen e duhur janë ende të mangëta.
Dhjetë çrregullimet më të shpeshta
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë shpërndarë në shkolla materiale sensibilizuese për tu ardhur në ndihmë mësuesve e prindërve. Roli i tyre është i domosdoshëm për të identifikuar në kohë problemet dhe për tu dhënë zgjidhje atyre. Shkaqet kryesore të çrregullimeve mendore tek fëmijët janë marrëdhëniet në familje, raportet në shkollë, faktorët socialë si varfëria apo dhuna, bëjnë me dije specialistët e ISHP-së. Sipas tyre ndikojnë jo pak ngjarje të tilla si vdekja apo largimi i njerëzve të dashur, sidomos divorcet. Dhjetë janë çrregullimet më të shpeshta tek fëmijët e moshës shkollore. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe adoleshentët. Autizmi renditet i pari në listë, për vetë faktin se zbulimi i kësaj sëmundjeje i përket fëmijërisë së hershme. Autizmi është një çrregullim i trurit, që diagnostikohet normalisht në fëmijërinë e hershme, është çrregullim i zhvillimit, i cili shfaqet afërsisht tek 0,005% e fëmijëve, prej të cilëve 80%, fëmijë të gjinisë mashkullore, sqaron ISHP. Çrregullimet e të nxënit janë një tjetër problematikë që haset në 2-10% të fëmijëve. Ato përfshijnë çrregullimet e të lexuarit, matematikore dhe ato të të shkruarit. Depresioni i fëmijëve mbetet sot një çrregullim me pasoja të rënda tek fëmijët. Përgjithësisht ka një lidhje direkte me prindërit. Nëse fëmija ka një prind me depresion, ka një përqindje nga 25% deri në 50% për të qenë dhe vetë i tillë, ndërsa për ata fëmijë që prindërit u vuajnë herë pas here nga depresioni, mundësia rritet deri në 75%, theksojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Hiperaktiviteti (ADHD), i cili në vendin tonë neglizhohet, është një tjetër çrregullim, i cili shfaqet kryesisht tek fëmijët 8-9  vjeçare. Në grupin e dhjetë çrregullimeve më të shpeshta mendore bëjnë pjesë gjithashtu fobitë, vetëdëmtimi (kur fëmija dëmtohet me qëllim), çrregullimet e të ngrënit, obsesionet dhe çrregullimet e ankthit dhe skizofrenia. Për të gjitha këto prindërit dhe mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm dhe duhet të konsultohen me psikologë dhe psikiatër nëse vërejnë shenja të vazhdueshme. Çdo çrregullim ka tipologjinë e vet, sqarojnë specialistët.

10 Çrregullimet me te shpeshta
1-Autizmi

Autizmi është një çrregullim i trurit, që diagnostikohet që në fëmijërinë e hershme. Nuk dihen shkaqet e këtij çrregullimi. Një pjesë e fëmijëve autikë shfaqin shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme, si në muzikë, art e ndonjëherë edhe në matematikë.
Simptomat me të cilat shfaqet autizmi:
Probleme me shikimin
Vështirësi në të folur
Probleme me dëgjimin dhe komunikimin
Aftësi e kufizuar për të kryer veprime të pavarura
Fëmija izolohet në vetvete
Formulon me vështirësi mendimet
Ka vështirësi në të kuptuar dhe kujtesë
Prindërit:
Të jenë këmbëngulës. Fëmijët me autizëm e kanë të
vështirë që informacionin e marrë në një mjedis ta
riprodhojnë në një mjedis tjetër.
Të jenë mbështetës. Krijimi i një mjedisi të
qëndrueshëm, është mënyra më e mirë për të përforcuar të mësuarit.
Të dinë të shpërblejnë fëmijën për sjelljet e mira.
Çdo fëmijë tenton të shfaqë më shpesh sjelljet që
prindërit ia përforcojnë duke i shpërblyer, lavdëruar,
vlerësuar.

2-Çrregullimet e të nxënit përfshijnë
Çrregullimet e aftësisë së të lexuarit
Çrregullimet e aftësisë matematikore
Çrregullimet e aftësisë së të shkruarit

Çrregullimi i aftësisë matematikore, së të lexuarit, dhe të shkruarit:
Karakteristika kryesore e këtyre çrregullimeve është se leximi, aftësitë matematikore, aftësitë për të shkruar janë dukshëm nën nivelin e pritur, duke pasur parasysh moshën kronologjike, inteligjencën e matur dhe shkollimin e individit në përputhje me moshën e tij. Fëmijët me çrregullime në të nxënë nuk janë fëmijë me prapambetje mendore. Ata mund të kenë inteligjencë mesatare ose të lartë dhe sërish të kenë probleme në lexim, shkrim apo matematikë. Por, mund të ndodhë që fëmija të ketë edhe vështirësi në të nxënë e njëkohësisht edhe prapambetje mendore, por këto janë dy gjëra të ndryshme.

Prindërit dhe mësuesit duhet:
Të mirorganizojnë klasën dhe ruajnë vëmendjen e saj.
Të paraqesin tema të përgatitura mirë.
Të demonstrojnë pritshmëritë për sjellje të mirë.
Të kuptojnë karakteristikat e të mësuarit të nxënësve
të tyre dhe planifikojnë instruksione të përshtatshme.
Të theksojnë më shumë sukseset sesa dështimet.
Të modelojnë sjelljen e duhur.
Të komunikojnë me nxënësit në mënyrë pozitive,
sensitive dhe nxitëse, duke përdorur edhe humorin.

3-Depresioni
Fëmijë me lidhje të dobëta familjare, si dhe problemet social-kulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psikofizike. Depresioni më tepër u atribuohet kushteve të jashtme sesa gjeneve. Situatat traumatike në jetë si braktisja, dhuna në familje, problemet kronike në shkollë, divorci i prindërve ose edhe lindja e një fëmije tjetër në familje, rezultojnë në depresion te fëmijët që janë në periudhën e formimit. Mërzitja ose vuajtjet e lehta nuk janë domosdoshmërish depresion. Nëse fëmija ndihet i trazuar, nuk është për tu shqetësuar, por nëse kjo situatë zgjat me javë dhe ndikon
marrëdhëniet që fëmija ka me ambientin që e rrethon, mund të quhet klinikisht depresion.

4-Hiperaktiviteti (ADHD)
Simptomat
Kanë mungesë përqendrimi, kohëzgjatjen e përqendrimit e kanë të limituar, gjatë studimit janë shumë të ndjeshëm nga bezdisje të vogla mjedisore, meditojnë për diçka tjetër duke parë drejt tabelës së klasës ose duke të parë në sy.

Shfaqin shenja padurimi, nervozohen dhe lëndohen shumë shpejt. Sa më shumë të përballen me ambiente të reja dhe të ndihen të huaj në të, aq më të vështirë e kanë të heqin dorë nga veset kapricioze. Këta fëmijë e kanë të pamundur të rrinë në një vend dhe të dëgjojnë me qetësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›