E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja, ish i dashuri i Çiljetës shpallet në kërkim

Romeo Shehu

Policia: Romeo Shehu bashkë me dy të tjerë vodhën magazinën me cigare.

Ish i dashuri i këngëtares Çiljeta Xhilaga është shpallur në kërkim nga policia, me akuzën se është implikuar në vjedhjen e një magazine me cigare, në afërsi të tregut 5 Maji, në Tiranë. Policia tha se i dyshuari e ka kryer krimin në bashkëpunim me dy miqtë e tij, të cilët u arrestuan dje nga forcat e rendit. Romeo Shehu, 29 vjeç, akuzohet se ka vjedhur një sasi cigaresh, me vlerë 25 milionë lekë të rinj. Burime nga Policia thanë se gjatë një operacioni të kryer nga oficerët e Komisariatit Nr.4 është arritur identifikimi dhe arrestimi i dy prej autorëve të vjedhjes së ndodhur dy javë më parë. Ndërsa është shpallur në kërkim personi i tretë që ka marrë pjesë në këtë ngjarje, që sipas Policisë është 29-vjeçari Romeo Shehu, ish i dashuri i Çiljetës. Të njëjtat burime konfirmojnë se dy personat e tjerë të arrestuar janë shokët e tij, Ervin Goxhaj dhe Gerti Fregjaj. Sipas Policisë, dy të arrestuarit ishin në dijeni saktësisht se çfarë kishte magazina dhe se si mund të futeshin aty, pasi ishin vetë pronarët e saj, por ia kishin dhënë me qira tregtarit që kishte mallin, Neki Qosja. Autorët e grabitjes, që sipas Policisë janë të tre në gjendje mjaft të mirë ekonomike e secili ka bizneset e veta, kanë arritur të futen në magazinë duke prerë drynin e derës kryesore. Policia ka siguruar tashmë prova të mjaftueshme, që e implikojnë në këtë ngjarje edhe ish të dashurin e Çiljeta Xhilagës, Romeo Shehun. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa policia ka ushtruar një kontroll paraditen e djeshme edhe në një kazino që është në pronësi të tij, në Rrugën e Dibrës.
VJEDHJA E MAGAZINES
Ngjarja për të cilën akuzohen dy personat e arrestuar, Ervin Goxhaj e Gerti Fregjaj, si dhe Romeo Shehu tashmë i shpallur në kërkim, ka ndodhur rreth dy javë më parë në afërsi të Tregut Industrial në Tiranë. Denoncimi për vjedhjen e magazinës është kryer më 26 janar, në Komisariatin Nr.4 nga pronari i mallit që ndodhej në magazinë, Neki Qosja. Ai ka deklaruar se sipas tij  vjedhja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të asaj date, kur ndodhej në shtëpi. Por kur është kthyer për të hapur magazinën, e ka gjetur drynin të prerë dhe derën e hapur, ndërsa në depo mungonin stekat me cigare Marlboro, Slims dhe Kent. Sipas tij, vlera e mallit është e konsiderueshme, rreth 25 milionë lekë të rinj, pasi ai sapo kishte bërë furnizimin dhe magazina para vjedhjes ka qenë e mbushur me cigare. Pas një pune dyjavore hetimesh, që është kryer me përdorimin e metodave speciale, Policia ka arritur të identifikojë tre autorët e vjedhjes, dy prej të cilëve janë arrestuar. Ndërsa është shpallur në kërkim 29-vjeçari Romeo Shehu, ish i dashuri i këngëtares së njohur.

kengetarja
Romeo Shehu, i cili është shpallur zyrtarisht person në kërkim nga Policia, i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim, ka qenë për katër vjet me radhë i dashuri i këngëtares Çiljeta Xhilaga. Ai u bë i njohur për publikun gjatë viteve kur qëndronte përkrah Çiljetës, edhe në daljet publike që ata kishin, pasi deri diku lidhja e tyre ishte zyrtarizuar. Por kur të gjithë po prisnin që këngëtarja e njohur të shkëmbente unazat me Romeon e saj, në media u publikua një lajm krejt i kundërt. Edhe vetë Çiljeta deklaroi dy vjet më parë që i kishte dhënë fund lidhjes me Romeon. Ata janë të ndarë që prej vitit 2010.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›