E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mashtruesit" kosovarë: Shisnim ide për biznese

Dy personat e arrestuar dy javë më parë gjatë një seminari në kryeqytet, pretendojnë se ushtronin veprimtari konsulence me biznesmenë të vegjël


"Jemi kompani serioze, me njerëz të kualifikuar për këshillime". Prokuroria, të akuzuarit mblodhën 640 mijë euro


TIRANË- "Kemi shitur ide për menaxhimin e bizneseve dhe ishim konsulentë të personave të ndryshëm". Kështu kanë pretenduar dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të arrestuar për akuzën e "mashtrimit" në mënyrë masive ndaj personave dhe në shuma të mëdha, më shumë se një herë përpara hetuesve të njësisë së Task- Forcës së Prokurorisë së Tiranës, gjatë marrjes së tyre në pyetje.


Dy të arrestuarit njëkohësisht të dyshuar edhe si "drejtues" të kompanisë "Euro Life Dooel", kanë mohuar akuzat para prokurorit të çështjes, duke u vetëdeklaruar të pafajshëm.


Një fakt i tillë, konfirmohet nga burime zyrtare të prokurorisë së kryeqytetit, që prej muajsh po hetojnë skemën e mashtrimit që dy kosovarët kanë përdorur për të përfituar shuma të mëdha parash nga "biznesmenë" të vegjël që dëshironin të mësonin për metodat e reja të administrimit dhe ngritjes së biznesit.


Paratë e mbledhura këta të fundit i kanë argumentuar si para që vinin nga konsultimet e tyre të dhëna personave të ndryshëm që kishin interes të dinin për zhvillimin dhe menaxhimin e biznesit.


"Kompania jonë, nuk është firmë e skemave piramidale, ajo është biznes serioz që merret me konsulencë (këshillim) për menaxhimin dhe ngritjen e bizneseve të vogla. Ne nuk kemi mashtruar njerëz, përkundrazi iu kemi shitur atyre idetë tona dhe kemi këshilluar personat e interesuar për mënyrën e sjelljes me klientët".


Kështu mësohet të kenë thënë kosovarët e arrestuar Valon Kyçyku, 35 vjeç dhe Burim Haxhiolli, 31 vjeç, gjatë marrjes së tyre në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët e njësisë së task- forcës së kryeqytetit.


Ndërkaq pranë policisë së kryeqytetit, që nga dita e arrestimit të të dyshuarve për mashtrim, janë depozituar edhe 20 kallëzime të reja nga qytetarë të ndryshëm, të "mashtruar" nga dy drejtuesit e kompanisë "Euro Life Dooel". Ata mësohet se janë ftuar të hyjnë në shoqëri për të fituar më tepër para, duke paguar shumën fikse prej 2290 euro.


"Ftojmë të gjithë qytetarët, që kanë qenë pre e këtyre mashtrimeve, t'iu drejtohen komisariateve të policisë ose prokurorisë së kryeqytetit, për të denoncuar të rastet e tyre"-thanë për "Shekullin" drejtuesit e task-forcës së prokurorisë.


Sipas tyre, deri më tani janë marrë në pyetje dhe administruar deklarimet e më tepër se 120 personave, me cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni rrethanat e hetimit, si dhe "viktima" të këtij mashtrimi.


Nga veprimet hetimore prokuroria, pohon se ka provuar faktin se dy drejtuesit e "Euro Life Dooel", kanë kryer transferta bankare, nga llogari e kompanisë së tyre në Shqipëri në drejtim të llogarive bankare të kompanisë "Gem Colection".


Shuma e transferuar në drejtim të kësaj kompanie e regjistruar në emër të tyre dhe në Shkup të Maqedonisë, kap shumën e mbi 540 mijë eurove. Kjo shumë është fituar pasi, persona të ndryshëm ishin bërë "viktima" të mashtrimit, pas pagesës fikse të 2290 eurove.


Ata në këmbim bëheshin pjesëmarrës të seminareve të ndryshëm të organizuar nga mashtruesit dhe ishin përfitues të disa broshurave dhe librave për mënyrën e administrimit dhe ngritjes së biznesit si dhe sjelljen me klientët.


540 mijë euro rezulton të kenë transferuar dy kosovarët e arrestuar nga Shqipëria në drejtim të Maqedonisë në llogaritë e tyre e bankare të hapura në disa banka të nivelit të dytë në Shqipëri dhe Maqedoni.


120 deklarime të personave të ndryshëm janë administruar nga prokuroria në cilësinë e provave, nëpërmjet të cilave është zbardhur edhe skema e mashtrimit se si vepronin tre kosovarët e arrestuar.


2290 euro ishte shuma fillestare që çdo person i rekrutuar duhej të paguante në "arkën" e shoqërisë "Euro Life Dooel", me qëllim që të merrnin mësime për menaxhimin e biznesit, nga dy të arrestuarit

120 mijë euro iu bllokuan mashtruesve në Shqipëri


Një shumë prej afërsisht 120 mijë euro iu është bllokuar dy kosovarëve në një prej bankave shqiptare sipas akuzës. Dy kosovarët Kyçyku dhe Haxhiolli i kanë mbajtur këto para në llogarinë bankare në Shqipëri, duke i përdorur për t'jua shpërndarë personave që rekrutonin klientë të tjerë në skemën e tyre që policia dhe prokuroria pretendojnë se është skemë mashtruese.


Sipas mekanizmit të ndërtuar nga dy të arrestuarit, çdo person që bëhej pjesë e seminareve të dy kosovarëve paguante shumën prej 2290 euro, por, në momentin që ata sillnin tre klientë të tjerë, merrnin shumën e parave të depozituara prej tyre.


Nëse ata sillnin më shumë se tre persona anëtarë të rinj, përfitonin një shumë të caktuar eurosh, në shenjë stimuli për të gjetur të tjerë njerëz për kompaninë që "shiste" ide. "Nga hetimet paraprake, kemi konstatuar se të dyshuarit për "mashtrim" kanë kryer transaksione në më tepër se dy banka të niveleve të dyta.


Sipas hetuesve, të akuzuarit mendohet se kanë përdorur llogari edhe në disa banka të tjera të nivelit të dytë në vend që po verifikohen. Të gjithë filialeve këtyre bankave iu janë nisur shkresa ku kërkohen të dhëna analitike për llogaritë e në emër të dy personave të dyshuar për "mashtrim" në dëm të të tretëve.


Sipas akuzës, dyshohet se viktima të kësaj kompanie "këshilluese" kanë rënë mbi 400 persona, shumica drejtues dhe pronarë të bizneseve të vogla.


Paratë dyshohet të kenë përfunduar në Qipro


Paratë e fituara nga dy kosovarët, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, pasi janë transferuar në Maqedoni, dyshohet se më pas mund të jenë dërguar në drejtim të Qipros. Hetuesit kanë zbuluar transferta të kryera nga persona të ndryshëm si dhe nga dy të arrestuarit në drejtim të Maqedonisë dhe më pas në drejtim të Qipros.


Në këtë vend hetuesit dyshojnë se kanë përfunduar një pjesë e mirë e parave të mbledhura. Kjo pasi dyshohet se grupi kishte aktivitet, jo vetëm Shqipëri Kosovë e Maqedoni, por në të gjithë rajonin, si në Mal të Zi, Serbi e vende të tjera.


Në të gjithë këto vende, hetuesit kanë marrë informacione për shtrirjen e aktivitetit të grupit të personave të mësipërm, duke hapur aktivitetin e tyre mashtrues në dëm të personave të ndryshëm. Edhe në vendet e tjera, skema e mashtrimit, sipas hetuesve të njësisë së Task- Force-s së prokurorisë dyshohet të ketë qenë e njëjtë, me skemën që vepronte në vendin tonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›