E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit kosovarë shpërblehen në garën e diturisë në SHBA

Gjashtë nxënës të shkollës së mesme “Mehmet Akif” të Prishtinës zunë vendin e dytë dhe të tretë në grupe, në një garë diturie të mbajtur në Huston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku garuan nxënës të 73 vendeve të botës.

Ata u pritën sot në Ministrinë e Arsimit nga Skender Xhakaliu, u.d i sekretarit të përhershëm dhe Osman Shahini, udhëheqës i Zyrës për aftësim dhe arsim privat.

Nxënësit, 3 nga klasa 11 dhe 3 nga klasa 12 e shkollës “Mehmet Akif” morën pjesë në një garë diturie në Huston të SHBA-së, ku zunë vendin e dytë, përkatësisht të tretin në grupet e tyre.

Gara është mbajtur në lëmin e Teknologjisë dhe të Bujqësisë, kurse nxënësit kosovarë ishin të suksesshëm në mbjelljen e misrit dhe të fasules në hirin e Obiliqit. Ata dëshmuan se në kushte të caktuara mund të kultivohet me shumë sukses mbjellja e misrit dhe e fasules duke premtuar kështu edhe rendimente të larta.

Ndërkaq në grupin e dytë, Gara të Teknologjisë, nxënësit tanë arritën që të kenë sukses në izolimin e metaleve të rënda me filtrin e punuar nga fijet e flokut.

Në të dy këto eksperimente nxënësit kosovarë ishin të suksesshëm dhe për shpërblim fituan të drejtën e bursës për studime në një nga Universitetet e SHBA-së.

Me këtë rast, Skender Xhakaliu ka përgëzuar nxënësit për suksesin e arritur, duke i inkurajuar ata që edhe më tej të mësojnë dhe te dëshmojnë aftësitë e tyre intelektuale.

“Ju përgëzoi për suksesin e arritur, kjo është edhe një dëshmi se ne kemi një rini inteligjente dhe shumë ambicioze të cilën duhet përkrahur që të zhvillojnë prirjet e tyre me qëllim që të arrijnë rezultate të lakmueshme në fusha të caktuara të dobishme për zhvillimin ekonomik të vendit. MASHT i ka mbështetë dhe do të vazhdojë e dhe më tutje të mbështesë aktivitetet të ngjashme në funksion të zhvillimit të dijes e të shkencës në Kosovë”, ka thënë Xhakaliu, thuhet në një njoftim të MASHT-it.

Nxënësit kosovarë gjatë vizitës në SHBA përveç vizitave ne institucione prestigjioze të Amerikës, kanë vizituar edhe agjencinë e hapësirës NASA.

Ata u shprehën të kënaqur me pritjen dhe mbështetjen e ofruar nga MASHT-i, duke premtuar se edhe me tutje do të vazhdojnë me punën e tyre kërkimore shkencore dhe njoftuan se në këtë garë morën pjesë nxënë nga 73 vende të botë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›