Masiela Lusha Murgesha e Hollivudit

Është larguar nga shkëlqimi i Hollivudit, për të provuar veten nën petkun e Agnes në filmit “Koha e kometës”, një film ku asaj i është dashur të harrojë nga vjen dhe të kthehet në 100 për qind shqiptare. “Nëse do të kisha jetuar këtu, do ta kisha kuptuar më lehtë përjetimin emocional të Agnes. Nga ana tjetër nuk ka pasur shumë problem që të hyjë nën lëkurën e personazhit, pasi ajo është tipike për atë çka çdo qenie njerëzore kërkon të jetë dhe të arrijë gjithsecili në realitetin ku e kanë çuar rrjedhat e jetës. Është pa pikë dyshimi eksperienca më e pabesueshme e jetës sime, pasi kam lindur në Shqipëri dhe që prej largimit në moshën 5-vjeçare, nuk kam pasur kurrë mundësinë të shkel në këtë tokë. Kam jetën time në Amerikë, u rrita, jetoj dhe punoj atje, por kur udhëtova për të parën herë nga Maqedonia, pas xhirimeve dhe shkela në Shqipëri, ju siguroj se më mbuluan ndjesitë e bukura. Gjatë xhirimeve kam parë gati çdo cep të Shqipërisë ku u linda, dhe për këtë ndjehem mirë. Është një ndjesi e bukur që më ka kapluar e që në asnjë mënyrë nuk mund të harrohet”, shprehet Masiela. Gjithashtu ajo tregon sadisfaksionet që ka marrë, duke qenë pjesë e kastës së këtij filmi dhe se sa të rëndësishëm janë fansat për të; “Çdo gjë nis prej mishërimit të një roli. Në këtë moment sigurisht që duhet të më pëlqejë mua. Por kjo nuk mjafton, pasi kënaqësia më e madhe për çdokënd në punën e tij, sidomos për artistët, është kur lexon një e-mail apo merr një telefonatë dhe të rrëfejnë se roli u ka pëlqyer, apo edhe kanë lotuar. Kjo është gjëja më e bukur që ndodh! Duke marrë kënaqësitë e mia, dua që t’i përcjell ato, pasi publiku është ai që jep edhe vendimin për suksesin tonë”. Ndërkaq, roli i Agnes për të është një rol që përfaqëson miliona njerëz. Për çdo vajzë që ndjehet e dhunuar apo e humbur aty ku jeton, për çdo vajzë shqiptare nën koracën e dhimbjes dhe pamundësisë. Ajo e mendon si detyrën e saj për ta përcjellë atë tek të gjithë. “Është puna ime që t’i bëj të tjerët ta përjetojnë psikologjikisht këtë situatë. Shqipja është gjuha e nënës sime dhe shkodranët kanë një dialekt tepër të bukur, dhe është e vështirë t’i afrohesh dialektit të tyre. S’kam dashur në asnjë moment të jem klon dhe kam preferuar të flas siç di, e kjo është pranuar”, ka theksuar aktorja e Hollivudit. Më poshtë ajo vijon: “Mendoj se asnjë prej atyre që do të shohin filmin, nuk do t’u bëhet vonë për theksin tim, por për atë çka përcillet dhe çdo gjë tjetër që na rrethon. Unë e adhuroj shqipen, rri gjithë ditën duke dëgjuar tek flitet shqip dhe do të isha e lumtur të flisja kaq mirë sa ju”. Në kohën kur i erdhi oferta për filmin, Masiela ishte me xhirime. Por pasi lexoi skenarin bazuar tek “Viti i mbrapshtë” i Kadaresë, ajo e ndau mendjen. Madje në çdo minutë mendonte se s’mund ta humbiste në asnjë mënyrë këtë film, që tashmë po konkurron për “Gladiatorin”. Ja si e rrëfen vetë Lusha eksperiencën e saj: “Isha tepër e përgatitur, pasi kam jetuar për një kohë të gjatë me skenarin. E ndoshta çdo qenie njerëzore duhet të jetë e përgatitur, ashtu si unë, kur bëhet fjalë për vendin tënd, për veten tënde”, përfundon ajo. Imcake, përherë e buzëqeshur, madje edhe atëherë kur i duhet të përsërisë edhe një herë skenën. Masiela Lushën, aktoren shqiptare të Hollivudit, e gjen gjithnjë me projekte në dorë. Kometës “Masielë’ i duhet të jetë “e kryqëzuara” Agnes, vajza për të cilën ka shkruar Kadareja në romanin “Viti i mbrapshtë” dhe që regjisori Fatmir Koçi ka dëshiruar ta interpretojë në filmin e tij.