E Diel, 1 Nëntor 2026

Mat, Osmane Shahini, burrnesha që kalon ditët në lulishte

MAT- Që kur mbushi 14 vjeç, ende pa lënë lojërat, vendosi të bëhej burrneshë dhe u rreshtua përkrah shokëve e vëllait të saj. Kjo është historia e Osmane Shahinit, sot 83 vjeçe, nga fshati Bejnë i Matit, e cila prej 69 vitesh ka jetuar si burrë. Shqipëria ka histori të veçanta në lidhje me femrat të cilat vendosin që në moshë të vogël për t'u bërë burrnesha. Ndoshta sot është penduar për atë vendim që mori kur ishte vetëm 14 vjeçe, - të mos martohej kurrë, - pasi tani ndodhet fare e vetme, e braktisur nga të gjithë dhe jeton në lulishten e Burrelit. 

Ky njeri me gjini femërore, por me zakone dhe sjellje burrërore, që në moshën e re u është shtruar punëve të rënda përkrah burrave. Gjysmë shekulli më parë, zgjedhja për t'u bërë burrneshë konsiderohej sakrificë e madhe nga e gjithë shoqëria. Ndërsa sot, Osmane Shahini ka mbetur krejtësisht e braktisur dhe askush s'e ka marrë si sakrificë zgjedhjen e saj. Në një ligj të pashkruar, i zbatuar sidomos në veri, aty ku ka jetuar edhe 83- vjeçarja, thuhet se shtëpia e prindërve apo tokat, ndahen në mënyrë të barabartë mes vëllezërve, ndërsa motra, vajza, është e përjashtuar automatikisht nga trashëgimia. 

Por për shkak se Osmane Shahini 'ndërroi' gjininë e saj duke u bërë burrneshë, i takonte të merrte pjesën e saj. Për këtë arsye, vëllai e saj nuk i ka folur më dhe nuk e ka pranuar si familjare. Në këtë moshë të thyer, pa mundur të kujdeset për shtëpinë e rrënuar dhe tokat, 83- vjeçarja është larguar nga fshati ku punoi një jetë të tërë, për t'u strehuar në një azil. Ajo ka plotësuar dokumentet për të jetuar në azilin e kryeqytetit, por nuk e kanë pranuar. Megjithëse ka punuar për 15 vjet në thellësi të nëntokës si minatore në zonën e Martaneshit, ajo është harruar edhe nga strukturat shtetërore. Të folurit pak, duket se është një nga zakonet që i ka mbetur nga të qenit burrë për 69 vjet. Por me aq pak fjalë, Osmane Shahini tregon në një intervistë për "Gazetën Shqiptare" jetën e saj. 

Osmane, pse rri në lulishte? 
Rri këtu se nuk kam ku rri. S'kam njerëz. 
Nga cili fshat je? 
Jam nga fshati Bejnë i Matit. 
Ke qenë e martuar? 
Jo, asnjëherë nuk jam martuar. Jam bërë burrneshë që kur mbusha 14 vjeç dhe vendosa të mos martohem. Jam vënë përkrah burrave dhe kam punuar si ata. 
Ke kërkuar mbështetje apo strehim nga shteti? 
Që vitin e kaluar, në korrik, kam bërë letrat për azil, por nuk më pranuan. M'i çuan për në Shkodër. Unë aty nuk doja dhe nuk pranova të shkoja. 
Po ku do flesh sonte? 
Sonte këtu, nesër dhe më vonë... Që në korrik të vitit të kaluar jetoj kështu, rri rrugëve, pa bukë. Edhe për festa. Njerëzit festojnë Bajramin, ndërsa unë s'kam bukë për të ngrënë. Jam e sëmurë me diabet e gjëra të tjera, po as ilaçe nuk marr. Ka një vit që rri rrugëve. 
Ku të rri?! Po më parë, ku ke qëndruar? 
Kam qenë në punë. Kam punuar në minierë që në 1970-ën. Punoja brenda në galeri. Në Batër kam punuar 15 vjet, një mijë metra nën tokë, me inxhinierë. Rrija 8 orë me këmbët në ujë brenda në galeri. 
Nuk ke familjarë, vëllezër e motra? 
Kam vetëm një vëlla, por nuk flas me të, nuk më duan. 
Po tani, çfarë kërkon? 
Unë dua të shkoj në azil në Tiranë. Të mos rri më në lulishte. Dua të më pranojnë atje.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›