E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Strasburgut, ‘OK’ 561 padive nga shqiptarët

TIRANE- Pamundësia për të zgjidhur problemet me pronat në institucionet tona të së drejtës, ka detyruar një numër gjithnjë e në rritje shqiptarësh t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut si rrugën e vetme të shpëtimit. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj gjykate, numri total i padive të pranuara nga qytetarët shqiptarë është 461 deri më 24 korrik të këtij viti. 100 padive të reja u është akorduar e drejta e gjykimit vetëm gjatë vitit 2013, të cilat u shtohen 111 padive të pranuara në 2012 dhe 85 në vitin 2011. Shoqata "Pronësi me drejtësi" konfirmoi për "Gazetën Shqiptare", se pjesa dërrmuese e këtyre padive, rreth 80% e tyre, u përkasin pronarëve që kanë kërkuar të drejtën e tyre në këtë gjykatë, në pamundësi për ta zgjidhur në institucionet tona të së drejtës. 

PEZULLIMI, 18 MUAJ 
Çështjet në fjalë janë pranuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në një çast kur ky institucion, që nga 31 korriku i vitit 2012 ka vendosur vetëm të pranojë e të marrë në shqyrtim çështjet e reja, pa dhënë verdikte pro apo kundër shtetit shqiptar për këtë periudhë. Një vendim i tillë pilot u mor nga kjo gjykatë për t'i dhënë shtetit shqiptar një hapësirë prej 18 muajsh gjatë së cilës ky i fundit të vërë në zbatim verdiktet e deriatëhershme të këtij institucioni të së drejtës. Përmes vendimit pilot, ku gjykata u njohu të drejtën katër pronarëve në dëm të shtetit shqiptar, përcakton me saktësi si duhet të veprojë qeveria shqiptare lidhur me rastet në fjalë, por edhe ato të ngjashme duke vendosur qartësisht detyrime të drejtpërdrejta për shtetin shqiptar. 

VENDIMET 
Lidhur me vendimet e Gjykatës së Strasburgut, Shqipëria ka një detyrim të qartë ligjor sipas Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të ndërmarrë masa për të zbatuar vendimet e brendshme të formës së prerë për kthimin apo kompensimin dhe për të realizuar një ankim efektiv në rast të mos ekzekutimit të këtyre vendimeve. Vetë shteti shqiptar pranon në një dokument të vitit 2012, se pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka rreth 58 kërkesa kundër Shqipërisë të komunikuara dhe 50 në pritje komunikimi, në të cilat pretendohet shkelja e të drejtave të pronësisë dhe e të drejtave të tjera të lidhura me to. Gjatë 2000-2012 janë dhënë vendime për 20 raste të tilla kundër Shqipërisë, nga të cilat në 16 raste janë konstatuar shkelje të të drejtave, me sanksion në vlerën 6,571,876 Euro dhe 1.650 m2 sipërfaqe trualli. "Shqipëria ka ekzekutuar tërësisht 11 vendime, ka në proces ekzekutimi 2 vendime dhe në proces negocimi për masën e dëmshpërblimit 3 vendime të tjera", shkruan dokumenti qeveritar.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›