E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha të kërkojë ndjesë për përndjekjet dhe akuzat ndaj UÇK-së

TIRANE- Deputeti socialist, Erjon Braçe i kujtoi dje ish-kryeministrit Berisha, se ai duhet të kërkojë ndjesë për Kosovën dhe kosovarët. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Braçe shkroi se: “Nëse ka një politikan që duhet të kërkojë ndjesë për Kosovën dhe kosovarët, ai është Sali Berisha! Të kërkojë ndjesë për përndjekjen, rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e shqiptarit të mirë Remzi Hoxha. Të kërkojë ndjesë për përndjekjen, ndalimin, arrestimin dhe informimin e të gjithë anëtarëve të Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës, përfshirë Adem Jasharin, Hashim Thaçin etj. Të kërkojë ndjesë për sulmet e vazhdueshme dhe cilësimin e UÇKsë si një lëvizje terroriste, marksiste-leniniste”. Janë këto, disa nga argumentet që jep Braçe se përse Berisha duhet t’u kërkojë ndjesë kosovarëve. 

E më tej, Braçe shprehet se “Berisha duhet të kërkojë ndjesë për qëndrimet e tij përçarëse gjatë luftës në Kosovë, investimin e tij personal në krijimin e grupeve paralele ushtarake, me synim vetëm ruajtjen e influencës së tij personale në Kosovë”. Ai rendit një listë të gjatë episodesh, për të cilat sipas tij, Berisha duhet t’u kërkojë falje kosovarëve. Kështu, ai kujton qëndrimin e Berishës për Rambujenë, qëndrimet e ish-kryeministrit gjatë kohës kur në Kuvendin e Shqipërisë kërkohej të lejoheshin trupat e NATO-s të instaloheshin në Shqipëri gjatë operacionit për çlirimin e Kosovës. “Të kërkojë ndjesë për marrëdhënien e ngushtë, familjare e të biznesit, të një prej pinjollëve të nomenklaturës së regjimit të Millosheviçit, Damir Fazlliç, futjen e tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar dhe dhënien e aksesit të pakufizuar në këtë këshill të tij”, shkroi dje, Braçe.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›