E Diel, 1 Nëntor 2026

Materialet për Ballukun “sekret hetimor”, Bardhi: Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Ramës

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë sot, 17 dhjetor, me një reagim zyrtar sa i takon materialeve për zv.kryeministren Belinda Balluku duke njoftuar se aktet procedurale përkatëse u janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Përpos tyre, edhe kërkesa dhe urdhri i prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin që këto dokumente të mos bëhen publike.

Por kjo gjë nuk ka bindur kreun e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili kërkon sjelljen në Kuvend të relacionit, shoqëruar me provat mbështetëse.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:

Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike!

SPAK, sipas ligjit, ka detyrimin të sjellë në Kuvend relacionin, shoqëruar me provat mbështetëse. Këto nuk i sjellë për ti mbyllur në kasafortën e Protokollit të Kuvendit, por për tia vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, që të jenë të përgatitur për vendimmarrjen në mbledhje.

Për të zbatuar ligjin ska nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025″.

Kujtojmë se dje, 16 dhjetor, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për autorizim, për heqjen e imunitetit të Ballukut e më tej kalimin në masë shtrënguese ndaj saj.

SPAK argumenton se Balluku është e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë. Përveç kësaj, shton, se ajo është nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi.

Pas kërkesës në Kuvend është vendosur që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit ta shqyrtojë atë më 19 dhjetor.

Sipas rregullave, Balluku ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes gjatë mbledhjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›