Materialet zgjedhore, të hetojmë mostra

Kryeministri Sali Berisha deklaron se është i gatshëm të marrë pjesë së bashku me opozitën në hetimin e materialeve zgjedhore. Kushti që deklaroi dje shefi i mazhorancës në mbledhjen e grupit parlamentar ka të bëjë me caktimin e një kampioni që do të hetohet për të mos marrë në shqyrtim të gjitha materialet zgjedhore në rang vendi. “Me një kusht të vetëm, që unë në mënyrë absolute, asnjë deputeti nuk mund t’i them që të shqyrtojë të gjitha materialet. Sepse të rrish të shqyrtosh vetëm listat e Tiranës, mund të duhen dy vjet. Po të dojë zoti Rama t’i shqyrtojë nga e para gjer tek e fundit materialet. Po të dojë bashkëpunim me ne në komision, le të punojë me mostra, ose të gjejmë formulën se si t’i përzgjedhim”, u shpreh Berisha. Ne shkojmë edhe më tutje, tha ai, marrim edhe vetë pjesë në se dëshiron me përzgjedhje, me short, ka shumë mënyra për të përzgjedhur. “Nëse nuk do, që të gjitha le t’i marrë materialet”, tha Kryeministri. Berisha u shpreh se me datën 19, ditën e fundit të kampingut unë kam pasur një telefonatë nga Brukseli, është informuar se dy kryetarët e grupeve kryesore parlamentare të Parlamentit Europian, Joseph Daul i Partisë Popullore dhe Martin Shultz, i Partisë Socialiste, do të dërgonin një ftesë atij dhe zotit Rama për të diskutuar. “Nuk kisha asnjë kusht tjetër përveç faktit që unë për grevën dhe me grevën nuk mund të diskutoja”, tregoi Kryeministri Berisha për ftesën e europianëve për dialog, duke shtuar se ajo gjeti edhe mirëkuptimin e tyre. Nga ana tjetër, në lidhje me këtë çështje, Berisha shtoi se nuk kishte pranuar të bënte asnjë negociatë me përfaqësuesit e opozitës gjatë kohës që ata kishin qenë në çadrat e grevës së urisë. “Gjatë atyre ditëve u bënë përpjekje të mëdha të shumta dhe të shumëllojta, për të bërë zgjidhje të negociueshme. Unë që kam qenë gjithnjë dhe mbetem gjithnjë i hapur për takime, për negociatat, në atë periudhë nuk pranova asnjë emisar, asnjë ndërmjetës të vullnetit të mirë dhe unë dua t’u kërkoj të falur atyre”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, ky vendim nuk kishte ardhur për shkak se nuk kishte respekt për qëllimin e negociatorëve, por kishte vendosur për të respektuar me çdo kusht të drejtën e secilit qytetar shqiptar të protestonte në përputhje me ligjet e vendit. Duke folur për takimin në Strasburg, Berisha theksoi se ai ishte plotësisht pozitiv dhe në të kishte spikatur vendosmëria e plotë edhe e bashkëbiseduesve europiane për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë e quajti si absurde kërkesën e opozitës për të mos pranuar nenin 178 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon djegien e fletëve të votimit në kohën e arkivimit të materialeve të kutive të votimit. Sipas Berishës, kjo kërkesë bëhet edhe më e papranueshme në një moment kur vetë opozita e ka miratuar atë nen. “T’i si opozitë mund të vesh në pikëpyetje deklarative dhe jothelbësore, ndonjë ligj që s’ke votuar, por jo atë që e ke votuar vetë. është ligji më konsensual i vendit. Tani në qoftë se ju thoni zoti Rama se unë nuk e pranoj nenin 178, mos mendoni se unë do t’ju dhuroj nenin 178? Jo i nderuar zotëri”, deklaroi Berisha. Sipas tij, Kodi Zgjedhor i miratuar me konsensus nga të dyja partitë tregoi se kishte arritur të zhvillonte zgjedhje më të mira se ato çfarë ishin zhvilluar ndonjëherë më parë në vend.
#