E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia pajton dy grupet rivale të muzikës rep

Noizy procedohet për armëmbajtje pa leje, ndërsa fansi kundërshtar arrestohet për tentativë vrasjeje Historia e sherrit të dy shokëve që shkoi deri në gjakderdhje

Përleshjet mes grupeve rivale që merren me muzikë rep në Tiranë, kanë detyruar policinë të ndjekë politikat që ndoqi policia e Nju Jorkut në vitet ’60 dhe ’70. Në atë kohë, policia kishte vetëm një mundësi për të parandaluar vrasjet mes “këngëtarëve gangsterë”, duke i pajtuar bashkë. Moda e “këngëtarëve gangsterë”, të cilët identifikohen edhe me muzikën rep, ka filluar shumë vonë në Shqipëri, por vetëm kohët e fundit nga përleshjet mes grupeve të ndryshme janë plagosur rëndë dy të rinj. Madje, edhe dy ditë më parë, falë informacioneve që kishte policia për persona të armatosur, ka sjellë parandalimin e ndonjë tragjedie të mundshme. E për të shmangur raste të tilla, drejtuesit e policisë kanë pajtuar dy liderët e dy grupeve rivale, OTR, që përfaqësohet nga Noizy dhe TBA, që përfaqësohet nga Stressi.

Historia e përleshjeve të tyre nis kohë më parë, pasi dy liderët, që janë solistë të grupeve përkatës, kanë qenë shokë. Në atë kohë, ata kanë pasur mosmarrëveshje, të cilat më pas i kanë agravuar, duke krijuar tekste këngësh kundër njëri-tjetrit. Megjithatë, gjendja nuk ka mbetur në këto parametra, pasi mes dy grupeve, që tashmë janë krijuar në formë bandash, ka pasur ngacmime dypalëshe, që kanë përfunduar edhe me përleshje. Një ndër këto përleshje ka ndodhur më 28 prill të këtij viti, ku mbeti i plagosur rëndë Denis Dollapi, i bandës së TBA-së. Ai u plagos me thikë, e cila i çau zemrën dhe fillimisht u mendua se vdiq, por më vonë, mjekët mundën ta risjellin në jetë. Po atë ditë, pranë gjimnazit “Sami Frashëri” u plagos edhe një person tjetër, adhurues i të njëjtit grup, Durim Vitrina.
Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, mes grupeve rivale kanë nisur kërcënimet e para me jetë në shenjë hakmarrjeje, por dhe kërcënime me tekste këngësh siç është kthyer në modë tashmë mes dy grupeve që i kanë shpallur “luftë” njëri-tjetrit. Në faqen e profilit të “Facebook”, titulluar “Sepse Denis Dollapi do bëhet mirë shumë shpejt”, nuk mungojnë fyerjet e të dyja palëve të fansave, por edhe kërcënimet. Në këtë profil është publikuar edhe fotografia e personit që dyshohet se ka plagosur dy adoleshentët. Personi i fajësuar në “Facebook”, është i njëjti tashmë i identifikuar edhe nga grupi hetimor i policisë. Sipas burimeve nga policia, personi që dyshohet se ka plagosur dy adoleshentët, është një anëtar i grupit OTR, me pseudonimin “Infiniti”.

Dy ditë më parë, policia kishte marrë informacion se dy grupet do përplaseshin me armë te Pallati i Kongreseve. Kështu, shërbimet kanë ushtruar kontrolle rutinë makinash, me qëllim identifikimin e të armatosurve. Kur, shërbimet kanë ndaluar mjetin e Noizy, emri i të cilit është Rigels Rajku, i arrestuari Jetnis Dollapi ka nxjerrë një armë automatike “Scorpions” dhe ka qëlluar ndaj tyre. Policia ka ndërhyrë, por ai është kundërpërgjigjur dhe më pas është larguar, duke lënë armën në vendngjarje, por u kap pak metra më tutje.

Aty ka qenë i pranishëm edhe Arkimed Lusha, i njohur si “Stressi”, që përfaqëson grupin tjetër. Ai ka shpjeguar se Jetnis Dollapi ishte djali i xhaxhait të Denisit, i plagosur më 28 prill nga banda e fansave të Noizy-t. Aty janë shoqëruar shtatë persona, katër nga njëri grup dhe tre nga grupi tjetër, ku personazhit Noizy i janë gjetur edhe armë të ftohta. Në përfundim, policia ka vendosur arrestimin e Dollapit për tentativë vrasjeje, ndërkohë që Rigels Rajkun e ka proceduar penalisht në gjendje të lirë për “armëmbajtje pa leje”. Në përfundim, me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarjeje tjetër kriminale, policia i ka pajtuar të dy palët dhe veç të arrestuarit i ka liruar të gjithë personat e tjerë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›