E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, datat e provimeve sipas lëndëve

26/02/2010 Kategoritë që do të pranohen në provimet e maturës, ndarja sipas profileve të shkollës së mesme

Mësuesit, urdhër për kryerjen e konsultimeve para dhe pas mbarimit të vitit mësimor

Provimi i parë i Maturës Shtetërore për vitin 2010 do të zhvillohet në datën 1 qershor. Maturantët do ti drejtohen shkollave të mesme në këtë datë për të dhënë provimin në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Sipas rregullores së miratuar, këtë provim kanë të drejtë ta japin edhe nxënësit që e kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e mëparshme, por që nuk janë përfshirë në provimet e detyruara. Këta të fundit do të regjistrohen pranë shkollës së tyre pas dorëzimit të kërkesës përkatëse. Pas këtij provimi maturantët do të kenë edhe dy javë kohë për tu pregatitur për provimin e dytë në lëndën e matematikës, që do të zhvillohet në datën 15 qershor për të gjithë shkollat e mesme të vendit. Sipas urdhrit, provimet me zgjedhje do të zhvillohen në të njëjtën ditë për të dy lëndët, përkatësisht në datën 30 qershor. Për shkollat e mesme profesionale të llojeve të ndryshme, lëndët që do të jepen provim do të ndryshojnë po ashtu edhe datat, të cilat do ti gjeni të shpjeguara në tabelën bashkangjitur shkrimit. Të gjitha testet e provimeve me shkrim, për të dy sezonet do të hartohen në AVA, e cila gjithashtu do të sigurojë shpërndarjen e tyre nën masa të rrepta sigurie.

Pranimi

Në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste, si dhe në institucionet ekuivalente publike. Çdo drejtori arsimore, duhet të dërgojë brenda datës 21 maj në AVA emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit (të katërt ose të pestë), të shkollave të mesme, me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara. Për këtë vit kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik, pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Ndërsa të gjithë aplikuesit që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2009, kanë marrë dëftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme, si dhe pranë drejtorisë arsimore, nëse ajo shkollë është mbyllur. Për të konfirmuar këtë regjistrim ata duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve në të cilën duhet të jentë: “Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, shoqëruar me notat e katër ose pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopjen e noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë, një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit, ose letërnjoftim), si dhe kërkesën me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.

Sezoni i vjeshtës

Në rregulloren e provimeve përcaktohet që nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t’i japin ato provime klase në muajin shtator 2010, sipas një grafiku të veçantë të hartuar nga shkolla. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin II të Maturës Shtetërore po atij viti shkollor. Ndërsa për maturantët e shkollave joprofesionale datat e zhvillimit të provimeve në sezon do të jenë Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 08 tetor, si dhe Matematikë më 15 tetor 2010.

Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje

Hartohen dy grafikë për zhvillimin e konsultimeve

Deri në ditët e zhvillimit të provimeve të Maturës, mësuesit e të gjitha shkollave janë urdhëruar që të zhvillojnë konsultime me nxënësit. Pas shkresës së dërguar nga MASH, është përcaktuar që drejtoritë e çdo shkolle duhet të afishojnë në këndin “Matura Shtetërore” grafikun e

konsultimeve për secilën nga lëndët e provimeve të detyruara dhe lëndët e

provimeve me zgjedhje së bashku me emrin e mësuesit që do ti zhvillojë. Lëndët e provimeve të detyruara do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës duke marrë për bazë të dhënat e plotësuara nga vetë nxënësit në formularët A/1. Sipas këtij urdhri, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë do të zhvillohen dy orë konsultim në jave, një në letërsi dhe një në matematikë. Këto orë, do të shtohen ngarkesës mësimore të mësuesve, e si të tilla do të mbështeten me pagesën përkatëse financiare. Grafiku i parë ikonsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, më pas ky grafik do të zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve, ku nxënësit do të orientohen veçanërisht për preferencat e caktuara mbi lëndët me zgjedhje. Sipas këtij grafiku, me secilën klasë ose grup për provimet me zgjedhje, do të zhvillohen 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. Orët e konsultimeve të llogariten në ngarkesën vjetore të mësuesit.

Provimet e lirimit për nxënësit e klasave të 9-ta

Datat e provimeve për të dy lëndët

Në muajin qershor do të zhvillohen edhe provimet e lirimit për nxënësit e klasave të nënta. Sipas rregullores së miratuar nga MASH për këtë kategori është vendosur që mbyllja e vitit shkollor të bëhet më datën 1 qershor. Sezoni i provimeve pritet të nisë me lëndën e parë, atë të Gjuhës Shqipe që do të zhvillohet më datën 7 qershor. Ndërsa provimi i dytë për lëndën e matematikës do të zhvillohet më 19 qershor. Ashtu siç veprohet edhe për maturën, provimet e lirimit do të zhvillohen në një ditë për të gjitha shkollat e arsimit të detyruar në vend. Tezat e provimit për secilën lëndë do të hartohen nga AVA, si dhe do të shpërndahen drejt ambienteve të përcaktuara për provim nën masa të rrepta sigurie, për të mos lejuar rrjedhjen e informacioneve. Për nxënësit që nuk do arrijnë të marrin notë kaluese në sezonin e parë, do të ketë edhe vjeshtë. Kështu, nxënësit mbetës do të mund ti japin të dy këto provime në datat 1 dhe 6 shtator. Sipas urdhrit të MASH, drejtoritë Arsimore Rajonale, dhe drejtoritë e shkollave të marrin të gjitha masat që viti mësimor 2009-2010, për klasat e nënta të mbyllet sipas programit dhe me nota përfundimtare për çdo lëndë brenda datës 02 qershor 2010, duke shfrytëzuar orët në dispozicion. Njëkohësisht edhe për këtë kategori provimesh janë përcaktuar oraret e konsultimeve që do të zhvillohen nga mësuesit e lëndës sipas klasave përkatëse. Konsultimet do të zhvillohen për të dy lëndët që do të jepen në provim me shkrim nga nxënësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›