E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ndalet uji, fundosen 5320 ha

26/02/2010 Evakuohen 150 persona, emergjencat ngrenë çadra dhe furnizojnë banorët me ushqime

Vihet në zbatim plani i përmbytjes së parë. Shfaqet sinjali “SOS” në disa zona

TIRANE- Rreth 5350 ha tokë bujqësore, 831 banesa nën ujë, si dhe rreth 150 persona të evakuar, ky është bilanci aktual që është shkaktuar në Qarkun e Shkodrës nga përmbytjen. Situata është rënduar ndjeshëm gjatë natës së djeshme, pasi në të gjithë zonën që tashmë është mbuluar nga uji ka pasur reshje të shumta shiu, të cilat janë shoqëruar edhe nga prurjet e mëdha të ujit që shkarkohej nga portat e kaskadës së lumit Drin. Situata duket se do të vështirësohet më tepër, pasi argjinaturat dhe pengesat e ndryshme që kanë qenë në zonë, janë shkatërruar nga përmbytja e parë që ndodhi në ditët e para të muajit janar. Për t’i bërë ballë kësaj situate teje të rënduar, janë angazhuar maksimalisht gati 100 forca ushtarake të Batalionit të Reagimit të Shpejtë, ku në ndihmë të tyre kanë qenë edhe dhjetëra uniforma blu të policisë së Shkodrës, të cilat kanë punuar përgjatë orëve të ditës dhe natës, me qëllim evakuimin e personave që ndodhen në rrezik, si dhe marrjen e masave për vënien e thasëve me rërë, në mënyrë ndalimin e futjes së ujit në disa banesa. Konkretisht në fshatin Daragjat të komunës Dajç po punohet për përforcimin e argjinaturës. Në Bërdicë po ngrihet kampingu me 20 çadra në funksion të komunës Dajç. Ndërkohë që vazhdojnë punimet në fshatin Ashtë të komunës Bushat për përforcimin me mjete inerte me qëllim ruajtjen nga dëmtimi të 10 shtëpive që mund të rrezikohen nga shembjet për shkak të gërryerjeve nga lumi Drin. Në fshatrat Shirq, Daragjat e Dajç janë dërguar forca dhe mjete për evakuimin e komunitetit, ku pjesa më e madhe e banorëve po strehohen në konvikte, ndërsa një pjesë tjetër tek të afërmit e tyre. Edhe në komunën Ana e Malit janë vënë forca dhe mjete në dispozicion për evakuimin e qytetarëve, si dhe janë dërguar thasë me rërë për përforcimin e pritave në fshatin Gorricë. Në fshatrat si Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi (fshatrat Vukatanë, Kuç, lagjen “Ajasëm” (Bashkia Shkodër), janë mbyllur të gjitha shkollat dhe kopshtet, deri në një urdhër të dytë që do nxjerrin drejtuesit e Drejtorisë rajonal të Arsimit Shkodër. Veç vëmendjes së evakuimit të banorëve, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shpëtimit nga mbytja e bagëtive, që sipas informacioneve mësohet se janë larguar qindra krerë bagëti. Ndërkohë trupa të shumtë, janë mobilizuar për shpërndarjen e ndihmave në familjet e përmbytura, si dhe pajisja e tyre me ujë të pijshëm, pasi ka zona që prej ditësh janë duke e vuajtur shumë mungesën e ujit të pijshëm. Problem vazhdon të shfaqë edhe rruga nacionale që lidh Shkodrës me Tiranës, ku në disa pjesa ajo është mbuluar nga uji që vërshon nga diga e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Organizata e Kryqit të Kuq ka filluar të shpërndajë ndihma ushqimore, me qëllim që banorët të jenë të furnizuar me ushqime për çdo situatë që mund të krijohet. Në rrugët e zonave të rrezikuara të Dajçit janë dislokuar forcave të shumta të ushtrisë dhe policisë, ndërsa uji çdo ditë e më tepër vazhdon të “marshojë” me shpejtësi në fushat, duke shkatërruar të mbjellat dhe kulturat e ndryshme bujqësore. Uji ka bërë të pakalueshme dhe rrugën kryesore dhe të vetmen që lidh komunën e Dajçit me pjesën tjetër të vendit. Në krye të rrugës së Dajçit qëndron një postbllok policie, ku këshillohen drejtuesit e automjeteve të vogla për të mos hyrë në Dajç, për shkak të prezencës së lartë të ujit në zonë. Ndërkohë mësohet se në fshatin Obot uji ka nisur të hyjë brenda disa banesave. Ky fshat aktualisht është tërësisht i izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Në këtë zonë mund të futesh vetëm me mjete lundruese. Tashmë duket qartë se përmbytja po ndjek të njëjtën rrugë të një muaji më parë, duke mbuluar me ujë në fillim Obotin, më pas Dajçin dhe më pas periferinë e Shkodrës. Prurjet e Drinit, Bunës dhe Kirit, lumenj këta që rrethojnë në tri anë periferinë e Shkodrës, kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjes në këto zona ku uji ka nisur të shfaqet qysh dje në katër lagjet “Ajasem”, “Bahçallëk”, “Livadhe” dhe “Mar Lulaj”. Aktualisht në prefekturën e Shkodrës është ngritur Shtabi i Emergjencave Civile me në krye ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, i cili së bashku edhe me disa ministra të tjera janë duke monitoruar me imtësi situatën.

Shkaku i përmbytjes

20 ditë pas normalizimit të situatës nga përmbytja e parë, është rikthyer sërish uji në zonën e Nënshkodrës, ku për pasojë banorët e zonës janë detyruar të braktisin banesat e tyre. Herën e parë u pretendua se shkak i përmbytjes, u bë batica detare që bllokonte grykëderdhjen e Bunës, ndërkohë që rikthimi i ujit në zonë tregon se e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e hapjes së portave të HEC-ve.

Vlerësimi i dëmeve

Vërshimi i ujit vjen në një kohë kur ekspertë të Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë, kishin zbritur në zonë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga uji. Tashmë situata është përkeqësuar më tepër, ku pas largimit të ujit ekspertëve do t’i duhet të nxjerrin sërish një faturë financiare. Nga dëmshpërblimi i disa familjeve u dhanë vetëm 1 mijë euro të vjetra.

Komiteti

Komiteti ndërministror vazhdon të operojë në zonat e përmbytura, ku vëmendje i është kushtuar evakuimit të banorëve, si dhe ndihmesa e tyre me ushqime dhe shërbim mjekësor

Largimi

Një pjesë e banorëve ka preferuar t’i paraprijë situatës, duke u larguar vetë nga zona. Me automjetet e tyre ata kanë marrë me vete të gjitha orenditë shtëpiake, si dhe gjënë e gjallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›