E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, ja skema si u zbuluan kopjacët

Burime zyrtare të MASH-it shpjegojnë mënyrën se si u zbuluan kopjacët. Ndëshkime të lehta ndaj tyre, por masa ekstreme ndaj administratorëve. "Në fillim u dyshuan 634 maturantë kopjacë, por pas verifikimit të provimeve tashmë janë ndëshkuar rreth 220 maturantë"

Maturantët kopjacë në provime do të ndëshkohen me ulje të pikëve, ndërsa për administratorët do të ketë ndëshkimin më të lartë që parashikon ligji. Kështu u shprehen për gazetën burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të cilët theksuan se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj problemit të kopjimit. Ndërkohë, burme të ministrisë shpjeguan skemën se si u zbuluan kopjacët dhe se çfarë masash konkrete do të merren ndaj tyre. Kopjimi Në fillim u dyshuan 634 maturantë kopjacë, por pas verifikimit të provimeve tashmë janë ndëshkuar rreth 220 maturantë. Burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit shpjegojnë se u deshën disa ditë pune për të nxjerrë fajtorët e vërtetë të kopjimit në mënyrë që askush të mos ndëshkohej me pa të drejtë.


Të gjitha këto provime u grumbulluan dhe u rivlerësuan. "Në fillim u dyshua që kopjime kishte në rreth 20 shkolla të mesme. Më pas u bë verifikimi se në cilat klasa kishte ndodhur kopjimi dhe si përfundim u verifikuan nxënësit që kishin kopjuar", - pohojnë burime zyrtare të MASH


Sipas tyre, provimet e këtyre maturantëve ishin shpërndarë në katër qendra vlerësimi, por, pavarësisht kësaj, dyshimet e para lindën, sepse disa provime ishin identike në zgjidhje. Të gjitha këto provime u grumbulluan dhe u rivlerësuan. "Në fillim u dyshua që kopjime kishte në rreth 20 shkolla të mesme. Më pas u bë verifikimi se në cilat klasa kishte ndodhur kopjimi dhe si përfundim u verifikuan nxënësit që kishin kopjuar", - pohojnë burime zyrtare të MASH. Por, nga ana tjetër, burime zyrtare shpjegojnë edhe detaje se si janë bindur specialistët gjatë rivlerësimit se vërtetë ata ishin kopjacë. "Kishte detaje të njëjta në provime që vërtetë të bindin se kemi të bëjmë me kopjim të mirëfilltë.


Ndodhte që edhe një pike e vendosur pa dashje nga njëri nxënës gjatë zhvillimit të pyetjes ishte kopjuar nga të tjerët në të njëjtën mënyrë", - pohojnë burime zyrtare të MASH. Ndëshkimet Ndaj maturantëve kopjacë nuk janë marrë masa ndëshkimore ekstreme me largim përfundimtar nga konkurrimi në shkollat e larta, por u janë hequr disa pika nga provimi. "Në fakt, këtë vit nuk pati ndëshkime ekstreme për kopjacët. Janë hequr vetëm pikët e pyetjeve të cilat kanë kopjuar. Kështu p.sh., nëse testi ka pasur 25 pyetje dhe janë verifikuar vetëm 15 pyetje të kopjuara, atëherë pikët janë hequr për këto pyetje të kopjuara", pohojnë burime zyrtare të MASH, duke shtuar se këtyre maturantëve u është dhënë shansi për të plotësuar formularin A2, sepse është shtyrë data e plotësimit të formularit. Sipas tyre, këtë vit kishte tolerancë më shumë se vitin e kaluar ndaj nxënësve kopjacë, pasi vitin që kaloi provimet e tyre nuk u morën fare në konsideratë. Megjithatë, burime të MASH-it sigurojnë se çdo maturant do të marrë atë që meriton dhe se do të rriten akoma më shumë masat kontrolluese dhe ndëshkuese ndaj atyre që
shkelin rregulloren.

Sipas MASH administratorët do të ndeshkohen sipas ligjit
Kopjet, ndëshkime të rënda ndaj administratorëve

Kopjimi në provimet e maturës shtetërore do të ndëshkojë ata që nuk mundën të administrojnë këto provime. Pra, ata që nuk do t'i shpëtojnë ndëshkimit janë administratorët, të cilat nuk mbikëqyrën provimet me korrektësi dhe lejuan që nxënësit të kopjonin. "Të gjithë administratorët, të cilët lejuan kopjimin do të ndëshkohen rëndë sipas ligjit. Nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj tyre, sepse nuk do të lejohet prishja e cilësisë së maturës shtetërore", - pohojnë burime zyrtare të MASH-it, duke lënë të nënkuptohet se ndëshkimi i tyre shkon deri me largim nga puna.


Sipas burimeve zyrtare të MASH-it, përzgjedhja e administratorëve është bërë në disa baza kriteresh, madje ata janë trajnuar se si do të mbikëqyrin procesin e provimeve. Kështu rolin e administratorëve duhet ta kryenin jo mësues të lëndës gjatë provimit. Ata duhej të ishin përgjegjës të mos lejonin asnjë nxënës të komunikonin me njëri-tjetrin, të kontrollonin me rreptësi dokumentacionin e tyre, të mos lejonin asnjë kopje të marrë në provim, të mos lejonin nxënësit të mbanin celular gjatë orës së provimit dhe shumë detyra të tjera për të cilat ishin trajnuar.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›