Kukës, shembet masivi i kromit, vdes 35- vjeçari

Kukës, Sefer Ademi dhe Miftar Sina po gërmonin për minerale kur një masiv shkëmbor i ka zënë poshtë
KUKËS- Kerkimet për mineral kromi kanë shkaktuar viktimën e radhës në një zonë krommbajtëse në rrethin e Kukësit. Një person ka vdekur dhe një tjeter është plagosur kur viktimat kanë qenë duke kërkuar mineral kromi. Burime të policisë së Kukësit kanë bërë të ditur se të shtunën në mesditë, në një zonë krommbajtëse, në fshatin Surroj, si pasojë e shembjes së një masivi dheu ka humbur jetën shtetasi Sefer Ismet Ademi, 35 vjeç, nderkohë që është plagosur rëndë shtetasi Miftar Sina. Viktima dhe i plagosuri janë banorë të fshatit Aliaj. Sefer Ademi së bashku me bashkëfshatarin e tij Miftar Sina, kanë qenë duke gërmuar në kërkim të mineralit të kromit ku një masiv i madh dheu është shkëputur duke zënë poshtë dy shtetasit. Shembja e masivit të dheut i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme Sefer Ademit, ndërkohë që plagë të rënda ka marrë edhe Miftar Sina.
Bashkëfshatarë të viktimave janë njoftuar nga i plagosuri dhe kanë shkuar me nxitim në vendin e ngjarjes. Ata kanë marrë të plagosurin Miftar Sina dhe e kanë transportuar menjëherë për në spitalin e Kukesit, ndërkohë që është nxjerrë nga masivi i dheut i pajetë Sefer Ademi. Burime spitalore bëjnë të ditur se pas mjekimeve të marra, i plagosuri Miftar Sina gjendet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një grup hetimor i policisë së Kukësit. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se vdekja e 35- vjeçarit nga fshati Surroj është aksidentale. Varfëria ka detyruar banorët e fshatrave të Kukësit të nisen në kërkim të kromit dhe shpesh herë kjo i ka kushtuar jetën. Sipas statistikave zyrtare, viktimat janë regjistruar në zonën krommbajtese të rrethit të Tropojës në zonën e Kamit në atë të Hasit dhe në Kukes. Dy vjet më parë, gjeti vdekjen si pasojë e shembjes së një masivi dheu në një galeri të braktisur të ish- minierës së kromit në Kam të Tropojës Besim Jahelezi nga fshati Kam.
Vetëm një muaj pas vdekjes së Jahelezit, tre persona nga fshati Vlad i komunës së Bytyçit në rrethin e Tropojës, pikërisht Hajri Sinani, 19 vjeç, Brah Ymeraj 42 vjeç dhe Skender Sinani, 20 vjeç u plagosen rendë si pasojë e një shembjeje të një masivi dheu. Në prill të këtij viti, duke
kërkuar mineral kromi, si pasojë e shembjes së një galerie, humbi jetën shtetasi Xhevdet Aliaj nga fshati Zgjeç i rrethit të Hasit. Viktimat si shumë banorë të këtyre zonave të varfëra janë vënë në kërkim të mineralit të kromit në galeritë e braktisura të fshatit Kam të Tropojës, Zgjeç, Perollaj e Vlahen të rrethit të Hasit dhe Surroj të rrethit të Kukësit. Familjet e këtyre zonave nuk kanë asnjë të ardhur, pas mbylljes së minierave të kromit pas viteve 90- të.
Minierat e kromit të Kamit dhe Ragamit, Vlahnes janë mbyllur pas viteve 90-të, ku galeritë e këtyre minierave kanë mbetur në mëshirë të fatit, ndërkohë që stoku i mineralit i nxjerrë me aq mund e djersë në periudhën e sitemit socialist është grabitur pas viteve 90-të nga perso na të licensuar nga vetë shteti. Licensa e tyre ka qenë për nxjerrjen e kromit nga siperfaqja, por "bosët"e kromit e kishin të gatshëm stokun e madh të mineralit, të cilin e shisnin sikur ta kishin nxjerrë vetë me shpenzimet e tyre. Rritja serish e çmimit të mineralit të kromit në bursë ka joshur banorët vendas të rrezikojnë duke gërmuar nëpër galeritë e braktisura të minierave të mbyllura prej më shumë se 19 vjetësh dhe në sipërfaqe në zonat mineral mbajtëse.