Kryeministri: "Pas heqjes së vizave, prozhektorët e BE do jenë drejtuar në Shqipëri"

Berisha mbledh komitetin ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit
TIRANË- Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Berisha kërkon impenjimin e të gjitha strukturave shtetërore për luftën ndaj krimit të organizuar. Gjatë mbledhjes së Komitetit ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, kreu i qeverisë u shpreh se pas heqjes së vizave, prozhektorët e vendeve anëtare të BE-së do të drejtohen drejt vendit tonë.
"Do vëzhgohemi pas heqjes së vizave, prozhektorët e BE do jenë drejtuar në Shqipëri", deklaroi Berisha në mbledhjen e komitetit ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.
Theks të veçantë kreu i qeverisë vuri te rehabilitimi i të riatdhesuarve që është edhe një nga kriteret që Bashkimi Europian i ka lënë Shqipërisë për të zgjidhur. "Komitetit i shtohet si veprimtari edhe çështja e të rikthyerve, sepse për fat të keq kjo ndodhi me shqiptarët dhe tani normale është që prozhektorët të drejtohen nga ne. Është bërë një fushatë promovuese shumë e mirë, por gjykojmë se kjo fushatë duhet të jetë më intensive.
Mos të mendojmë ne se vendet e BE-së po të votonin, do votonin për heqjen e vizave. Këtë e bëjnë qeveritë në respekt të qytetarëve shqiptarë. Në të kundërt vizat nuk do hiqeshin, sepse kanë ndrojtje dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që momenti i vendimit të pritet me dinjitet nga shqiptarët", deklaroi kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje qytetarëve që pas liberalizimit të vizave të respektojnë afatin 90-ditor të kohëqëndrimit në një vend anëtar të BE-së dhe kërkoi prej strukturave shtetërore që të jenë të përgatitura me të gjitha kapacitetet për të pritur të rikthyerit, ashtu siç është parashikuar edhe në strategjinë e trajtimit të të rikthyerve. Shefi i mazhorancës u ndal edhe te lufta e krimit të organizuar.
Kreu i qeverisë kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar. Duke qenë se vendi ynë është në procesin e liberalizimit të vizave, kryeministri kërkoi prej institucioneve tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe luftimin e tij me të gjitha mjetet.
"Lufta kundër krimit të organizuar, bashkërendimi i kësaj lufte, përpjekja e përbashkët e institucioneve nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor, sesa sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor shtypjen e krimit me të gjitha mjetet ligjore",- u shpreh kreu i mazhorancës. Berisha vlerësoi përpjekjet e kabinetit që drejton edhe në rrafshin legjislativ për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Sipas kreut të qeverisë, mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme në suksesin e luftës kundër krimit të organizuar. "Ne duhet t'i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe këtij sektori.
Natyrisht, mbi bazën e kritereve të caktuara do të jetë Prokuroria, ajo që përcakton personat që meritojnë këtë mbrojtje, por përpjekje më të mëdha se deri më sot duhet të bëhen, në mënyrë që këta persona të kenë të garantuara ato që meritojnë për dëshmitë që bëjnë", u shpreh Berisha. Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, kryeministri Berisha deklaroi se problemi më i madh për vendin tonë është pastrimi i parave.
Kreu i qeverisë kërkoi rritjen e kapaciteteve të policisë në këtë drejtim. "Kusht themelor për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar është të ndjekësh paratë e tyre, para se ato të kthehen në asete të tjera.
Ka një rritje të punës në këtë drejtim, ka një Agjenci, e cila ka si mision direkt këtë çështje, por kapacitetet e policisë duhet të rriten dhe trajtohen, pasi kjo do të jetë çështja më kryesore, gjatë kohërave që vijnë dhe kjo jo vetëm për ne, por është europiane dhe botërore", theksoi shefi i mazhorancës.
Në komitetin e mbledhur dje nga kryeministri Sali Berisha për luftën kundër krimit morën pjesë ministri i Brendshëm, ai i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Por ndryshe nga institucionet e tjera, të cilët u përfaqësuan nga krerët më të lartë, SHISH u përfaqësua nga një zyrtar i nivelit të dytë.
Kryeministri premton 400 mln $ për infrastrukturën
Kryeministri Berisha premtoi gjatë mbledhjes së Komitetit për Zhvillimin Rajonal se me gjithë shkurtimet e shpenzimeve të bëra, janë mbi 320 projekte në rrugët e vendit nga Saranda në Tropojë, nga Çajupi në Valbonë, në Vermosh, të cilat do të financohen. Kryeministri Berisha theksoi se ka një vendosmëri totale, për të vazhduar me ritme intensive ndërtimin e infrastrukturës së vendit.
"Ne jemi zotuar për 7 mijë km rrugë për gjatë këtij mandati, jemi zotuar për programin Shqipëria tërësisht e asfaltuar dhe do ta zbatojmë këtë program deri në fund", - tha kryeministri.
Përveç këtyre 320 projekteve, që janë në rrugë dytësore e tretësore, në komuna dhe bashki, kreu i qeverisë lajmëroi edhe nisjen e projekteve infrastrukturore për rrugët rajonale, të cilat financohen nga një fond i veçantë i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Këto rrugë, kanë një shtrirje në të gjitha qarqet e vendit, nga Kukës deri në Gjirokastër.
"Këto rrugë janë me impakt të madh për qarqet. Janë rrugë, për të cilat në 4 vjet qeveria shqiptare ka garantuar dhe 400 milionë dollarë të tjerë, e në rast nevoje do të garantohen edhe më shumë", - u shpreh kreu i mazhorancës.
Duke u ndalur te ndihma për zonat rurale, kryeministri Berisha deklaroi se këtë vit qeveria që ai drejton ka rritur në mënyrë të ndjeshme dhe ka dyfishuar financimin për fermerët. Sipas tij, qeveria po kombinohen të gjitha format nga kreditë e buta, grandet e deri tek kreditë tregtare për zhvillimin e këtyre zonave.