Matura, përgjigjet e gabuara, ministria: Lapsus
Nuk do të penalizohen maturantët, sepse korrigjimi kalon në tri hallka
Denoncimi i maturantëve për gabimet në çelësat e përgjigjeve për provimin e fizikës, në Maturën Shtetërore, sjell reagimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas dikasterit që menaxhon Maturën Shtetërore, lidhur me problemin e ngritur nga maturantët është bërë një lapsus në hedhjen e çelësave të përgjigjeve, por që nuk do të ndikojë në vlerësimin e secilit maturant.
Mund të konsiderohet një lapsus, por nuk ka kurrfarë ndikimi në vlerësimin që do të bëhet për të gjithë ata që dhanë provimet e maturës. Ashtu siç e parashikon edhe rregullorja e maturës, një tezë provimi do të kalojë në tri hallka, kontrollohet nga tre korrigjues, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit.
Në çelësin e përgjigjeve të testit të fizikës bërthamë, të Maturës Shtetërore, nxënësit kanë parë se në çelësat e përgjigjeve shënoheshin parregullsi në vlerësim.
Dy nga përgjigjet e dhëna në këto çelësa, të krijuar për vetëkorrigjimin e secilit maturant, ishin të pasakta.
Nisur nga ky problem, një grup nxënësish që kanë dhënë provim me zgjedhje fizikën bërthamë, shprehën shqetësimin, duke sqaruar edhe lapsuset e dhëna në përgjigjet e hedhura në sajtin e Maturës Shtetërore.
Dy ditë më parë, maturantët kanë denoncuar pranë gazetës Shqip duke thënë se: Një problem shqetësues për ne maturantët janë dhe disa pasaktësi në mënyrën e korrigjimit të tezës së fizikës bërthamë, të vërejtura pas publikimit të testit të zgjidhur në faqen zyrtare të MASH. Në zgjidhjen e publikuar, kemi vënë re pasaktësi vlerësimi në ushtrimet 3 dhe 15.
Në ushtrimin nr. 3 është kërkuar të gjendet pesha e trupit P2, e cila është 50N. Në përgjigjen e publikuar jepet pesha e trupit P1, e cila është 100N. Për sa i përket ushtrimit nr. 15, në përgjigjen e publikuar jepet një lidhje në seri dhe paralel e kondensatorëve kur realisht të tre kondensatorët janë të lidhur në paralel midis tyre. Kjo krijon dhe përgjigje të gabuara në nënkërkesat e tjera të këtij ushtrimi.
Më datë 30 qershor u mbyllën provimet e Maturës Shtetërore. Maturantët nga i gjithë vendi dhanë provimet e lëndëve me zgjedhje. Në bazë të koeficienteve, pikëve të marra në provime dhe mesatares së viteve të gjimnazit, do të bëhet edhe klasifikimi në universitete, për secilin nga kandidatët për student.
Maturantët - Lapsus apo gabim pa dashje, gjykojmë se alternativa duhet të merret e saktë, pasi është dhe përgjigjja e saktë për pyetjen. Duke mos gjykuar askënd, mendojmë se do të ishte më e saktë nëse merreshin të dyja alternativat si të sakta, sqarojnë kandidatët për student.
Ministria - Mund të konsiderohet një lapsus, por kjo nuk ndikon në vlerësimin e secilit maturant. Kjo pasi procedura njeh korrigjimin e trefishtë. Në rast se një vlerësues mund të gabojë, atëherë rikorrigjimi që i bëjnë dy korrigjuesit e tjerë nuk lënë hapësirë për gabime.
Matura, përgjigjet e gabuara, ministria: Lapsus burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip