E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohen katër mësueset e Kamzës

Sokol Çobo

Gjykatë 

Gjykata e Tiranës liroi me kërkesën e prokurorisë katër mësueset e një gjimnazi në Kamzë, të cilat u arrestuan duke dërguar me sms përgjigjet e tezës së provimit të Maturës Shtetërore. Trupi gjykues ka vlerësuar faktin se tre prej mësueseve kanë fëmijë të mitur dhe në këto rrethana kanë vendosur që të zbusë masën e sigurisë në detyrim paraqitje deri në përfundim të hetimeve. Nevila Fiku, Arjana Metalia, Klodjana Koka dhe Fatbardha Mahmutaj u liruan nga qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe kanë shkuar pranë banesave të tyre. Burime nga prokuroria pohojnë se hetimi për këto shtetase është regjistruar në datën 29 maj 2012, pas një kallëzimi sipas të cilit mësuese të shkollës së mesme të përgjithshme Ibrahim Rugova në Kamzë kërkonin para në këmbim të ndihmës në dhënien e provimeve. Personi që merrej me këtë aferë ishte shtetasja Nevila Fiku, me detyrë mësuese fizkulture në këtë shkollë. Është autorizuar përgjimi i bisedave ambientale në vende publike i Nevilës si dhe përgjimi i komunikimeve telefonike të kësaj shtetaseje. Është dokumentuar që në të tria provimet e zhvilluara, nxënëseve A. C dhe F.K iu janë dërguar përgjigjet e pyetjeve të provimit. Nxënëset kanë qenë të pajisura me celular në provim. Nevila Fiku në bashkëpunim me mësueset e lëndëve, qëndronin në afërsi të ambienteve të shkollës. Sipas prokurorisë, për provimet e letërsisë dhe të matematikës janë paguar 20.000 lekë ndërsa për provimin e historisë 25.000 lekë. S.Ç

Lirohen katër mësueset e Kamzës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›