Matura, procedurat për nxënësit jashtë shtetit
Zbardhen kriteret e ekuivalentimit dhe regjistrimit në Maturën Shtetërore 2009 të nxënësve shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit. Sipas udhëzimit të lëshuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Bej, sqarohet se dorëzimi i dokumenteve për ekuivalentimin e diplomës do të bëhet deri më 15 prill.
Aplikimi
Sipas udhëzimit të MASH-it, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë shtetasit shqiptarë që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit dhe kanë një diplomë të barasvlershme me Dëftesën e Pjekurisë. Për t’u pranuar në shkollën e lartë duhet të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Për të dhënë provimet e lëndëve me zgjedhje, duhet të paraqesin dokumentet për ekuivalentim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës deri më 15 prill 2009. Dokumentet e domosdoshme janë kërkesa me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik, dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara si dhe fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi.
MASH
Më pas, do të jetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila do të ngrejë një komision të posaçëm për ekuivalentimin e dokumentacionit të nxënësve shqiptarë që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik. Po ky komision, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, bën përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit dhe të notave të provimeve të detyruara D1 dhe D2 ose, në mungesë të këtyre të fundit, të notave përkatëse të këtyre lëndëve. Përcjell zyrtarisht rezultatet e mësipërme në Komisionin e Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, ku nxënësi ka vendbanimin, brenda datës 30 prill 2009. Komisioni i Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore cakton shkollën ku nxënësi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë formularët A1 dhe A2, përcjell pranë shkollave përkatëse notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm. Më pas dorëzon zyrtarisht dhe në formë elektronike në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) formularët A1 të plotësuar nga shtetasit dhe përmbledhësen e të dhënave të shtetasve sipas tabelës T, brenda datës 5 maj 2009. Ndërkohë që formularët A2 duhet të plotësohen nga nxënësi brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore. Për ata nxënës që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
Dokumentet për ekuivalentimin e diplomës
-Kërkesë me shkrim për të vazhduar studimet e larta në institucionet e arsimit të lartë publik.
-Dëftesa origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe ë noterizuara.
-Fotokopje e noterizuar e pasaportës/letërnjoftimit ose certifikatë lindjeje me fotografi.
Stafi i bashkisë dhuron gjak
Stafi i Bashkisë së Tiranës i është bashkuar gjatë ditës së djeshme nismës “Duke dhuruar gjak, dhuron një jetë”, e ndërmarrë nga Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. “Prej 6 vitesh, Bashkia e Tiranës është në linjën e parë të kësaj beteje jetike për të gjithë ata që janë në nevojë për gjak”, - tha kryetari i bashkisë, Edi Rama, pasi dhuroi gjak në mjediset e institucionit që drejton.
Sipas tij, dhurimi i gjakut nuk është thjesht një akt simbolik, por një akt që sjell menjëherë të mira për të gjithë ata që kanë nevojë, gëzim për ato familje që kanë fëmijë, të reja, të rinj e të moshuar që kërkojnë gjak. Nëpërmjet dhurimit vullnetar në vite, stafi i Bashkisë së Tiranës ka synuar jo vetëm sigurimin e një sasie të konsiderueshme të gjakut për njerëzit në nevojë, por është përpjekur të sensibilizojë opinionin për këtë akt njerëzor.