E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka Obama 'ndryshim' nga Bushi?



Idealistët me prirje të majta në Amerikë nuk po marrin vesh më se ç'po ndodh në botë. Barak Obama, Presidenti që ata e ndihmuan të vinte në pushtet, po u vë flakën shpresave të atyre që besonin se gjithçka do të ishte ndryshe, krahasuar me qeverisjen e Xhorxh Bushit. Në fakt, ata po përballen me të kundërtën e asaj që përfytyronin. Kur menduan se opsionet e tyre liberale do të shihnin dritën e diellit, në atë moment Obama e pozicionoi qartazi veten në krahun e pararendësit të tij.

Më konkretisht. Departamenti i tij i Drejtësisë ka saktësuar pozicionin në fjalë, duke dhënë opinionet e tij në të tria çështjet që janë në proces në dyert e gjykatës. Respektivisht, me të drejtat e të ndaluarve jashtë vendit, me programin e përgjimeve telefonike kundër të supozuarve simpatizantë të Al Kaedës në SHBA, si dhe me programin mbrojtës të postës elektronike të brendshme të Shtëpisë së Bardhë, në periudhën e administratës Bush. Ndërmarrja e këtyre hapave të shpejtë ligjorë u ka dhënë fund iluzioneve se Bushi ka vepruar kundraligjshëm. Për më tepër, me pozicionimin e tij ndaj tri çështjeve në fjalë, Obama na ka bërë me dije se Bushi ka vepruar drejt.

Çështja për të ndaluarit bën fjalë për një 'kërkesë për lirim' për katër të burgosur në qendrën amerikane të të ndaluarve, në bazën ushtarake të Bagramit në Afganistan. Kërkesa e tyre, e paraqitur në kohën kur Bushi ishte ende në pushtet, mbështetej në vendimin e Gjykatës së Lartë të muajit qershor, vendim i cili u njihte të drejtën të burgosurve në Guantanamo të apelonin ndaj ndalimit të tyre. Gjykatësi përgjegjës për çështjen e Bagramit i mbajti pezull veprimet procedurale, derisa Obama mori në dorë çelësat e zyrës. Më pas, i dha kohë katër javë administratës së re për t'u pozicionuar për çështjen në fjalë.

Pak kohë para se të përfundonte afati 'katërjavor', Departamenti i Drejtësisë bëri me dije se apelimi i çështjes ishte klasifikuar si "enemy combatants"(luftëtarë të armikut). Kësisoj, çështja nuk kishte subjekt për t'u shqyrtuar e për pasojë edhe mundësia për avokati të kësaj çështje, nuk gjente bazë ligjore në Kushtetutën amerikane. Përfaqësuesit e Departamentit të Drejtësisë lanë të kuptohet se të gjithë të huajve të ndaluar nga amerikanët kudo në botë do t'u njihej e drejta të apelonin vendimin për t'u lënë të lirë e për pasojë, "enemy combatants" do të zhvleftësohej.

Unioni Amerikan për të Drejtën Civile, i cili përfaqëson të ndaluarit në gjykatë, doli jashtë loje. Një prej përfaqësuesve të këtij unioni, pa qenë aspak emotiv, u shpreh me një gjuhë të akullt se Obama kështu ka konfirmuar pozicionin e mbajtur nga Bushi, që për burgje të tilla mund të veprohet edhe jashtë juridiksionit.

Opinioni i Departamentit të Drejtësisë për programin e përgjimit kishte të bënte me procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj një organizate myslimane bamirëse të San Franciskos. Avokatëve mbrojtës të kësaj organizate u kishin rënë gabimisht në dorë dokumente ku urdhërohej përgjimi i subjektit të tyre. Avokatët i kthyen mbrapsht dokumentet, por majtistët e trupit gjykues vijuan edhe më tej procesin e gjykimit.

Ishte çështja e vetme, ku programi aq i debatuar i përgjimeve shumë sekrete po vihej në provë acide - nëse dokumentet për përdorim vetëm të brendshëm, do të vlenin si provë materiale. Gjykatësit kërkuan t'u dorëzoheshin dokumentet... Kujtojmë se Presidenti Bush ishte po aq i vendosur në përpjekjet e tij për të mbrojtur sekretet shtetërore.

Në fillim të muajit shkurt, gjykatësit paralajmëruan se do të kishte pasoja nëse administrata e re nuk bindej. Por kaluan shumë ditë që Departamenti i Drejtësisë së Obamës të rikonfirmonte të premten (e shkuar - shën. im) qëndrimin politik në të njëjtën gjatësi vale me atë të Bushit. Kjo dosje u mbyll me procedurë të përshpejtuar dhe arsyeja që u dha ishte: mbrojtja e sekreteve shtetërore.

Rasti i tretë ka të bëjë me daljen në publik të imejleve të për përdorim të brendshëm në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me shkarkimin e disa gjykatësve federalë në periudhën e administratës Bush. Ky i fundit vuri veton ndaj kërkesave të Kongresit për të marrë në shqyrtim brendinë e këtyre imejleve, duke e argumentuar si çështje të brendshme konfidenciale. Grupimet për të drejtat civile ngritën padi për këtë çështje. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë së Obamës deklaroi së fundmi qëllimin e anulimit të këtyre çështjeve. Pse? Për të mbrojtur materialet konfidenciale qeveritare nga marrja në shqyrtim e tyre.

Dhe për t'i vënë kapakun, një deklaratë publike doli nga Shtëpia e Bardhë në fund të javës që shkoi lidhur me "Doktrinën e ndershmërisë" (fairness doctrine). Ky koncept i referohet ligjit të vitit 1949, ku nga media kërkohej që të ishte e ndershme dhe e balancuar në raportimet e saj. Administrata e Ronald Reganit e shfuqizoi këtë ligj në mesin e vitit 1980, duke i hapur rrugë konservatorëve për të vazhduar të ushtronin ndikim sa më të gjerë nëpërmjet emisioneve radiofonike të llojit "Talk show". Ndërsa radiot majtiste po të këtij lloji ranë shpejt nga vakti.

Në Kongres, kohët e fundit janë bërë përpjekje që "fairness doctrine" të rikthehet në fuqi. Ndërsa tani, një nga njerëzit e afërt të stafit të Obamës, u shpreh për "Fox"-in që Presidenti nuk mendon se rivendosja e saj është ide e mirë.

Në politikën e jashtme Obama vazhdon të sulmojë me raketa objektivat e Al Kaedës në Pakistanin Perëndimor, duke zgjeruar rrezen e veprimit edhe në ato territore ku ish-Presidenti Bush nuk kishte dhënë leje për të sulmuar. Qysh kur mori në dorë çelësat e zyrës, janë zhvilluar tri sulme të tilla. Ka gjasa që ai është duke i dhënë mbështetje një grupi prej 70 këshilltarësh ushtarakë amerikanë, që të trajnojnë ushtarët pakistanezë për të luftuar talebanët, sipas një raporti të NYT-së.

Ndërkohë, gjatë vizitës së saj të parë në Kinë, në statusin e Sekretares së Shtetit, Hillari Klintoni e shtyu për një kohë të mëpasme kriticizmin e saj publik mbi abuzimin me të drejtat e njeriut. Dhe këtu, aktivistët liberalë vunë duart në kokë.

Në ç'masë Bushi është i mishëruar tek Obama? Shumë, aq shumë, sa kundërshtarët e Bushit kanë mbetur të shokuar nga ky konstatim. Ndërsa, kur ai i del në mbrojtje "lirisë për të vepruar" të Bushit, Presidenti 'i ri' duket sikur është ai 'i vjetri'.

Përgatiti në shqip Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›