Matura, provimet me zgjedhje më 30 qershor
02/02/2010 Ndryshimet në procedurën e testimit, 12 lëndët vendimtare për pranimet në universitete
Zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2010, si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për lëndët me zgjedhje, do të mbyllet në fund të muajit qershor. Për këtë vit, në rregulloren e maturës është përcaktuar që zhvillimi i provimeve të bëhet sa më herët, në mënyrë të tillë që kur të nisë plotësimi i formularit A2, nxënësit të mund të bëjnë vetë përllogaritjet e rezultatit final. Kjo, pasi ata do të disponojnë të katër notat e provimeve, si dhe koeficientët e llojit të degëve dhe profilit të shkollës. Në provimet e viteve të shkuara maturantët rendisnin preferencat për universitet pa ditur më parë notat e dy lëndëve me zgjedhje. Në takimin e zhvilluar me nxënësit gjatë ditës së djeshme, kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, ka pohuar se “drejtoritë e MASH-it, si dhe drejtoritë rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të 4 notat e provimeve dhe mesataren”. Për t’u pranuar në shkollat e larta gjatë 2010-2011-ës, maturantët do të duhet të përzgjedhin sërish dy lëndë me zgjedhje për provimin final, që do të zhvillohet më 30 qershor. Po ashtu edhe për këtë vit, formulari A1 do të përmbajë 12 lëndë me zgjedhje, nga të cilat maturantët do të veçojnë vetëm dy prej tyre. Kujdes i veçantë duhet treguar me lëndët e gjuhëve të huaja, ku është e ndaluar që të përzgjidhen për provimet me zgjedhje dy lëndë të gjuhëve të huaja.
Ndryshime në rregullore janë bërë edhe për ambientet se ku do të zhvillohen provimet. Është vendosur që në rrethe të bëhet grumbullimi i nxënësve në ambiente të mëdha dhe jo nëpër klasa, siç është vepruar gjatë viteve të shkuara, ku janë vënë re probleme në administrimin e provimit. Çdo nxënës që ka vlerësimin kalues në të dy provimet e detyruara dhe dëshiron të vazhdojë studimet e larta, jep edhe provimet me zgjedhje. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sesionin e dytë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e maturës. Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Ndërsa kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, do të konkurrojnë në këto institucione, pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
Ambientet e provimit
Në rregulloren e re të maturës këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve të reja, e veçanërisht për provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla do të grumbullohen në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit, në salla të mëdha, ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin. Sipas ministrit të Arsimit, me grumbullimin e nxënësve në qendër të rrethit në salla të mëdha, përmirësimin e administrimit, do të hiqet çdo dyshim që hidhet se në një rreth të largët administrimi nuk ka qenë në atë nivel si në Tiranë.
Ministri Tafaj tregon ndryshimet
A do të ketë ndryshim të lëndëve me zgjedhje në provim?
Asnjë lëndë e re me zgjedhje nuk do të shtohet këtë vit në Maturën Shtetërore. Do të respektohen të gjitha afatet që kemi dhe në 10- ditshin e parë të shkurtit janë shumë gjëra që mbyllen për maturën, por lëndët me zgjedhje do të mbeten të njëjtat me vjet, nuk ka asnjë ndryshim.
Është folur për ndryshimin e përqindjes së mesatares, sa do të jetë ajo?
Nuk do të ketë asnjë ndryshim, mesatarja do të vazhdojë të zërë 20%. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjera për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as lëndët me zgjedhje, dhe po ashtu nuk do të ndryshojë as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm.
Kur u zhvillua matura, janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 20%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të rrisim përqindjen që zë mesatarja. Në të ardhmen mbase, gjë që lidhet edhe me diçka tjetër, në atë që ne jemi shprehur të gatshëm për t’u përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011, ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Pra, do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Në momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme, atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares, por më parë nuk na ndihmon të rrisim peshën e mesatares. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve.
Gjithmonë është thënë që në shkollat e larta kemi më shumë studentë nga rrethet. A janë të njëjta nga cilësia shkollat e kryeqytetit me ato të rretheve? Shkollat duhet të plotësojnë standarde të mjaftueshme. Sigurisht që ka probleme në pak shkolla të mesme në nivel vendi dhe matura ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka seleksionuar shkollat. Matura u bë një nga faktorët e vlerësimit të cilësisë të nivelit që ka shkolla. Ne kemi shkolla që plotësojnë standardet e shkollave të mesme, ashtu sikurse kemi dhe shkolla elitare. Në fund të dhjetorit u vlerësuan dhe shkollat më të mira të vitit. Studimi, që është paraqitur në MASH, statistikat që kanë sjellë APRIAL dhe emrat me shpërndarjen sipas rretheve, nuk e vërteton këtë. Në degë mjaft të preferuara të universiteteve publike janë disa shkolla që kanë rezultate permanente shumë të mira, që janë dy shkolla të rrethit të Fierit, Sarandës, Korçës, që çdo vit kanë një grup gjimnazistësh shumë të mirë me numër të tillë pikësh, sa arrijnë të klasifikohen në degët më të kërkuara. Por mund t’ju them që ka plot rrethe të largëta në Shqipëri, ku asnjë student nuk ka shans të arrijë pikët në këto degë. Ky është edhe një problem për mungesën e mjekëve në Has, nëse asnjë student nga Hasi nuk arrin të futet në mjekësi. Kjo është detyra ime. Unë e kam për detyrë të rris kushtet e gjimnazit të Hasit si shembull.
A mund të vendoset një koeficient për shkollat e mesme në bazë të rezultateve që ato kanë?
Propozimi është shumë interesant. Deri tani ne koeficientët i kemi diferencuar në bazë të profilit të shkollës. Një diferencim i tillë do të ishte shumë i vështirë, sepse do të ishte një koeficient, që do të përfshinte shumë subjektivizëm brenda.
Matura 2010
Provimet për lëndët me zgjedhje:
Anglisht
Biologji
Ekonomi-Filozofi
Fizikë
Frëngjisht
Gjermanisht
Gjeografi
Histori
Spanjisht
Italisht
Kimi
Njohuri për Shoqërinë