E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinisin aplikimet për ish-të përndjekurit

02/02/2010  Dokumentet që duhet të paraqesin trashëgimtarët për të paraqitur dosjen, apo tërhequr dëmshpërblimin
Ministria e Financave zyrtarizon fondin e posaçëm, i cili do të ndahet këtë vit
Që prej datës 2 shkurt të gjithë ish-të përndjekurit që përfitojnë dëmshpërblimin financiar për vitet e burgimit apo dënimin e padrejtë mund të rinisin aplikimet. Sipas burimeve zyrtare nga sektori për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë pranë Ministrisë së Financave, ky proces ishte ndërprerë gjatë muajit janar, për shkak se gjatë kësaj periudhe ka vijuar ndarja e dëmshpërblimit financiar për ata persona, emrat e të cilëve janë miratuar gjatë vitit 2009 dhe janë bërë publikë në listat e publikuara nga ky sektor.
Procedura
Për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën, të cilën e kanë përfituar në bazë të ligjit, duhet që të depozitojnë pranë sektorit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve pranë Ministrisë së Financave dosjen me dokumente. Në dosje duhet të jetë certifikata e vdekjes së të ish-të dënuarit, certifikata e trungut familjar, dëshmia e trashëgimisë së ish-të dënuarit politik, prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet dhe numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura. Pasi të jetë përgatitur dhe dorëzuar kjo dosje mund të nisin veprimet për derdhjen e parave në llogaritë e personave që përfitojnë nga dëmshpërblimi. Pagesa do të bëhet nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Ndërkaq, personat që janë ish-të dënuar dhe jetojnë duhet që patjetër emri i tyre të figurojë në listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. “Pasi është siguruar i dënuari politik që emri i ka dalë për pagesë në Vendimin e Këshillit të Ministrave ka dy opsione që mund të ndjekë”, - theksojnë burimet zyrtare. Një prej tyre është të depozitojnë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat e përzgjedhura si kërkesë e ligjit. Rruga e dytë e aplikimit për të përfituar dëmshpërblimin është të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën e Ministrisë së Financave, Drejtoria e përgjithshme e Thesarit Tiranë. Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve ish-të dënuarve. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë e emrit, atësisë dhe mbiemrit në listë me ato në llogarinë bankare. Sipas burimeve, radha dhe ekzaktësia në depozitimin e dokumentacionit janë kriteret dhe njëkohësisht çelësi për shpejtimin e ekzekutimit të pagesave.
Fondi
Qeveria ka parashikuar një shtim të fondit për kompensimin e viteve të burgimit për ish-të dënuarit deri në vitin 2012. Sipas të dhënave të kuadrit makroekonomik, që ka marrë miratimin nga Këshilli i Ministrave parashikohet që në vitin 2011 dhe 2012 kjo shumë të rritet nga 2 miliardë që është aktualisht në 3 miliardë lekë. Gjatë vitit 2009 qeveria kishte planifikuar 1 miliard lekë për këtë proces. Më vonë vendosi që të akordoheshin 1 miliard lekë të tjera nga të ardhurat e përfituara prej privatizimeve të bëra në fund të vitit 2008. Fondi për vitin 2009 u llogarit në këto nivele për shkak se 10 milionë dollarët e përcaktuar për ish-të përndjekurin nuk u shpenzuan.
Problematika
Gjatë vitit të kaluar volumi i punës u rrit mjaft për shkak të dosjeve të paplotësuara që kanë mbërritur pranë zyrës së sektorit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Mes këtyre dosjeve ka pasur emra, të cilët nuk janë përfshirë ende në procesin e dëmshpërblimit, pasi Këshilli i Ministrave nuk ka dhënë vendimin dhe miratimin përfundimtar. Kryesisht gjatë fundit të vitit të kaluar vijoi shpërndarja e fondit për dosjet e personave, emrat e të cilëve u përfshinë në listat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Për çdo emër apo dosje tjetër, që nuk është botuar në vendimet zyrtare të qeverisë do të thotë se procesi i ndarjes së parave nuk ka filluar ende, pasi nuk janë verifikuar nga Ministria e Drejtësisë. Rrjedhimisht edhe Ministria e Financave nuk mund të ndajë të ardhurat.
Kur nuk ka përfitues
Depozitat me përfitimin financiar mund të kërkohen nga të interesuarit deri në 3 vjet nga çelja e tyre. “Kur brenda 3 vjetëve pranë bankës nuk paraqitet asnjë i interesuar, apo kur të interesuarit nuk plotësojnë kriteret e caktuara sipas nenit 14, llogaria transferohet drejtpërdrejt në Thesarin e Shtetit sipas një rakordimi paraprak të kryer nëpërmjet bankës së nivelit të dytë dhe Ministrisë së Financave”, theksohet në ligj.
Ankesat
Nëse përfituesit kanë një ankesë apo kundërshti për vendimin e marrë, apo shumën që u është akorduar, komunikimi me ta do të jetë vetëm shkresor dhe jo nëpërmjet sqarimeve individuale. Është Ministria e Drejtësisë ajo që ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkëngjitur në Ministrinë e Financave për pagesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›