Matura shtetërore me diplomë

Maturantët nuk do të marrin më dëftesa pjekurie, ato zëvendësohen me "Diplomën e Maturës Shtetërore"
Ky është viti i pestë që në sistemin arsimor parauniversitar aplikohet "matura shtetërore", kohë kjo që, sipas Ministrisë së Arsimit, është më se e përshtatshme për të bërë ndryshime, dhe ndryshimet priten të jenë radikale.
Ministri i Arsimit në daljen e tij publike, për prezantimin projektligjit të ri për arsimin e lartë deklaroi se matura e vitit 2010, do të jetë e fundit që do t'u japë studentëve dëftesën e pjekurisë.
Në kuadër të ligjit të miratuar para pak kohësh, për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve, në përfundim të maturës 2011 do të lëshohet "Diploma e Maturës Shtetërore". Ky ndryshim, sipas ministrit, do të pasohet dhe nga ndryshime te tjera. Jo më larg se matura e vitit 2012, numri i provimeve të detyruara për studentët do të rritet, nga katër që është aktualisht në pesë.
Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale. Këtë ndryshim, ministri e argumentoi, duke thënë se nxënësit shqiptarë do të kenë të njëjtin start me studentët e çdo vendi tjetër europian.
Sipas kësaj formule, që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë, studentët shqiptarë janë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Europës. "Bachelori me kohëzgjatje 3 vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës.
Kështu, ne garantojmë ekuivalencën e krediteve dhe të kësaj diplome me çdo vend tjetër që ka aderuar në marrëveshjen e Bolonjës", - u shpreh ministri. Ndërsa për nxënësit që aktualisht po përfundojnë vitin e fundit të arsimit parauniversitar, kjo formulë nuk do të aplikohet. Provimet do të jepen sipas mënyrës së vjetër, dhe e drejta e studimet do të jenë mbi bazën e sistemit të meritë- preferencës.