Kriza, Rama: Ka vetëm një skenar për zgjidhjen, protesta

Kërkesa e Berishës për Venecian
Ne nuk marrim këshilla dhe sugjerime nga një personazh, i cili në më pak se 5 vjet qeverisje e ka shkelur kushtetutën e Shqipërisë jo më pak se 30 herë dhe, nga ana tjetër, nuk mund të shkohet në gjykatë Kushtetuese për çdo episod dhe çdo detaj të një jete demokratike që është e rregulluar me kushtetutë dhe me ligj, aq më tepër pastaj për liri dhe të drejta, siç është liria dhe e drejta e opozitës, në bazë të kushtetutës, që të ngrejë një komision hetimor dhe të mos kufizohet në objektin e hetimit nga shumica.
Për vizat
Unë besoj se prioritetet e BE-së, ku përfshihet dhe liberalizimi vizave për të gjitha vendet e rajonit, nuk kanë të bëjnë gjëkundi me meritat e kësaj qeverie, e cila, tashmë, e ka mbushur kupën e turpit që mund t'i bënte Shqipërisë dhe duke bërë madje që të diskutohet Shqipëria si një vend që është dhe mbrapa Bosnjës.
Pa asnjë dyshim, liberalizimi vizave do të ndodhë, edhe sikur qeveria shqiptare të kalojë në paralizë të plotë, duke mos bërë asgjë deri në fund të vitit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, komentoi kërkesën e Berishës për kutitë e votimit, si dhe bëri publike rrugët që duhet të dilet nga kriza
Zoti Rama, kritikët e qëndrimit zyrtar të PS-së mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një strategji personale e kryetarit, pra e juaja, për të mos pranuar në asnjë mënyrë humbjen e zgjedhjeve. Cila është përgjigja juaj?
Nuk është e mundur që një popull i tërë të derdhet lumë në protestë për arsye personale të cilitdo qoftë, aq më tepër në kushtet kur sot jemi në demokraci, për sa i përket së paku zgjedhjes së një përkatësie partiake apo zgjedhjes, nëse dilet apo jo në një tubim, apo merret apo jo pjesë në një aktivitet.
Kështu që besoj që jehona e madhe e përpjekjes sime dhe të miqve e kolegëve të mi, është prova më e sigurt dhe argumenti më i fortë që hedh poshtë këtë "lajthitje".
Zoti Rama, PS-ja nën drejtimin tuaj hyri në zgjedhjet e vitit të kaluar me një numër të kufizuar aleatësh të kampit të majtë dhe kjo sot vlerësohet edhe si ndër arsyet e humbjes së PS-së.
Me sa duket kjo është arsyeja që ju sot nuk po hezitoni që aleatët t'i kërkoni edhe nga qendra, por edhe nga krahu i djathtë i spektrit politik?
Për sa i përket çështjes së aleancës që është krijuar në këtë protestë, është një aleancë e natyrshme e të gjitha forcave që janë të të njëjtit mendim se në rast se nuk përballet dhe nuk çmontohet një mekanizëm, i cili i tjetërson zgjedhjet, atëherë në Shqipëri gjithë funksionet bazë të demokracisë janë të kapura në funksion të pushtetit që e ka kthyer shtetin në një makineri në shërbimin e vet.
Kjo është arsyeja e kësaj aleance të madhe që nuk ka kufi majtas, djathtas dhe është në rrugën e formimit si një aleancë për një program për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë, e cila kërkon një reagim shumë të fuqishëm në shumë aspekte dhe reforma reale dhe thelbësore të domosdoshme prej kohësh, por tani më urgjente se asnjëherë tjetër.
Ndërkohë, si e konsideroni rrugën që ju sugjeroi kundërshtari, z. Berisha, i cili tha që shkoni në gjykatën Kushtetuese dhe po qe e nevojshme dhe në komisionin e Venecias?
Ne nuk marrim këshilla dhe sugjerime nga një personazh, i cili në më pak se 5 vjet qeverisje e ka shkelur kushtetutën e Shqipërisë jo më pak se 30 herë dhe, nga ana tjetër, nuk mund të shkohet në gjykatë Kushtetuese për çdo episod dhe çdo detaj të një jete demokratike që është e rregulluar me kushtetutë dhe me ligj, aq më tepër pastaj për liri dhe të drejta, siç është liria dhe e drejta e opozitës, në bazë të kushtetutës që të ngrejë një komision hetimor dhe të mos kufizohet në objektin e hetimit nga shumica.
Nuk kemi asnjë pikë të përbashkët në këtë arsyetim, por kjo është e natyrshme, sepse zoti Berisha e di fare mirë se çfarë ka në kuti dhe kjo është arsyeja pse nuk e dëshiron hapjen e kutive, përkundrazi i mban ato me pahir të mbyllura, duke e vendosur popullin opozitar përpara një domosdoshmërie që t'i rezistojë këtij pushteti me kërkesën e thjeshtë "Hap kutitë, ose largohu!".
Përvoja e dy dekadave të fundit tregon se kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i shumicës, ka shumë gjasa që të mos tërhiqet nga pozicioni i mos hapjes së kutive, me gjithë protestat tuaja. Keni ju një skenar të zhvillimeve politike në Shqipëri në një rast të tillë?
Fakti që një diktator, uzurpator, apo një personazh i kësaj natyre dhe këtij profili, në krye të një qeverie, mund të mos tërhiqet përpara evidencës që është kapur në flagrancë më shumë se një herë, dhe në rastin konkret në një çështje që është e një interesi të madh publik, nuk do të thotë aspak që ne duhet të mendojmë për një skenar tjetër, sepse nuk ka skenarë alternativë përballë një qeverisje të kthyer në një sundim dhe një qeverie të kthyer në një regjim. Skenari i vetëm është rezistenca dhe mjeti i vetëm që na ka mbetur është protesta.
Nëse deri në muajin qershor BE vendos ta fusë Shqipërinë në listën e bardhë Schengen, nuk ju mbeten shumë kredenciale juve që sot e gjithë ditën thoni që kjo qeveri e largon Shqipërinë nga Europa...
Unë besoj se prioritetet e BE-së, ku përfshihet dhe liberalizimi vizave për të gjitha vendet e rajonit, nuk kanë të bëjnë gjëkundi me meritat e kësaj qeverie, e cila, tashmë, e ka mbushur kupën e turpit që mund t'i bënte Shqipërisë dhe duke bërë madje që të diskutohet Shqipëria si një vend që është dhe mbrapa Bosnjës.
Pa asnjë dyshim liberalizimi vizave do të ndodhë, edhe sikur qeveria shqiptare të kalojë në paralizë të plotë, duke mos bërë asgjë deri në fund të vitit. Liberalizimi duhet të jetë një fakt i kryer, pasi është një prioritet i tejshtyrë në kohë nga ana e BE-së për shkak të mungesës dhe plotë të efiçencës së qeverisë Shqiptare. Ne të gjithë jemi shumë të kënaqur që kjo do të ndodhë.
Kam qenë gjithmonë i bindur që në këtë pikë Europa nuk duhet ta kufizonte lëvizjen e lirë të Shqiptarëve apo të tjerëve në rajon me performancën e qeverive të tyre, sepse ky është një parim dhe një vlerë europiane, është një shtyllë e ndërgjegjes së saj, liria e lëvizjes...
Sikur qeveria ta dorëzonte sot pushtetin në duart e opozitës, në kushtet e krizës ekonomike, në kushtet kur Shqipëria tashmë po i ndjen drejtpërsëdrejti pasojat e krizës globale, rajonale, por edhe lokale, si do vepronit ju, a keni një mjet për ta nxjerrë
Shqipërinë shpejt nga këto halle ekonomike, për të cilat ju po i bëni thirrje njerëzve që të dalin në protestë?
Së pari, dua të theksoj që kriza shqiptare nuk është pasojë e krizës globale, por është rezultat i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes. Pa as më të voglin dyshim është produkt, më shumë sesa i çdo gjëje tjetër, i mbrapshtisë qeverisëse të vitit të shkuar kur, për të blerë pushtetin, Sali Berisha shkatërroi arkën e shtetit në një 6-mujor të parë që nga pikëpamja e politikës ishte krim dhe nga ana tjetër dua ta theksoj shumë më fort që ne jemi në kushte akoma më të vështira sesa duket dhe ndjehet, sepse nuk njohim të gjithë të vërtetën e krizës, pasi përballemi çdo ditë me shifra të manipuluara, të cilat mundohemi t'i analizojmë duke nxjerrë shifrat tona alternative, fenomen ky i njohur dhe fenomen që po e çon në pikën zero vendin fqinjë Greqinë.
Greqia e akumuloi gjithë këtë problem në dhjetëra dekada, ndërkohë që ne po përballemi me një problem të akumuluar në pak vite për shkak të këtij pushteti dhe padyshim të udhëheqjes qorre, tërësisht injorante në aspektin e politikës ekonomike të këtij kryeministri.
Cili ishte shkopi magjik i opozitës për të dalë nga kjo gjendje?
Pa as më të voglin dyshim sa më shumë kjo qeveri do të qëndrojë aty ku është aq më i madh do të jetë problemi, aq më e thellë do të jetë kriza, aq më e rëndë do të jetë barra e nxjerrjes së vendit nga ky batak.
Por, sigurisht që ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi në gjendje që gjithçka ta bëjmë ndryshe, më mirë dhe, kuptohet, jo me shkopin e magjistarit sepse këtë nuk e kemi, por me diturinë dhe njëkohësisht aftësinë për të qeverisur në mënyrë shumë herë më të mirë, si nata me ditën me ç'ka Shqipëria ka jetuar dhe po vazhdon të jetojë sot nën këtë regjim të korruptuar dhe njerëzish pa vizion, pa asnjë lloj përgjegjshmërie, të paaftë, që e kanë kthyer shtetin në një çerdhe shërbëtorësh, të cilët vendet e punës i marrin vetëm për meritat që kanë të bëjnë me pushtetin.
Marrë nga BBC
Aleatët e PS-së japin mbështetjen e plotë për protestën e sotme.
Rama me aleatët: Protesta nuk do ndalet
TIRANË- Për kryetarin e PS-së Edi Rama dhe partitë aleate të opozitës, protesta nuk do të ndalet deri në zgjidhjen e krizës në vend. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka zhvilluar dje një takim me drejtuesit e partive aleate, ku në qendër të bisedës ka qenë pikërisht protesta, që do të fillojë sot në Sheshin "Skënderbej".
"Tanimë e gjithë Shqipëria e di që nesër (sot) në ora 18.00, fillon protesta e madhe e mbarë popullit opozitar, përtej çdo kufiri që ndan partitë, apo që ndan njerëzit në raport me bindjet e përkatësitë e tyre. Për një çështje të përbashkët, të një interesi të madh publik, siç është çështja e rivendosjes së demokracisë, në themelin e vet, që është procesi zgjedhor.
Është e qartë për të gjithë se pasi grabiti votat, ky pushtet po rrënon ekonominë e të gjithëve. Është e qartë për të gjithë se e keqja që i ka përfshirë në një vorbull që shkon poshtë e më poshtë shqiptarët, duke ju rritur përditë koston e jetesës i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura", - tha kryetari i PS-së, duke shtuar se sot shqiptarët do të mblidhen për një protestë që nuk do të ndalet.
"Një protestë që do të kërkojë thjesht dhe vetëm rikthimin në duart e popullit të një të drejte që nuk mund të negociohet, nuk mund të shitet, nuk mund të falet, e drejta për të votuar lirisht e për ta parë votën ndershmërisht",- tha ai.
Kryetari i G99, Erion Veliaj i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë. "Ju ka ardhur në maj të hundës, ejani ti japim drejtim kësaj pune dhe të jemi të gjithë bashkë në protestë",- tha ndër të tjera Veliaj.
Edhe Kryetari i PLiDr, Spartak Ngjela theksoi se protesta nuk do të ndalet derisa të bëhet transparenca e zgjedhjeve. "Protesta është permanente, është pambarim, si gjithë protestat e tjera në të gjithë kryeqytetet lindore, për të vendosur demokracinë në Shqipëri",- tha ai. Ngjela komentoi edhe festën e PD-së më 1 Maj ditën e punëtorëve.
"Në datë 1 maj NATO ka dalë kundër shteteve që kanë festuar 1 majin. Sot 1 majin e feston Koreja e Veriut, Vietnami, deri diku Kina dhe Kuba. Saliu natyrisht do të bashkohet me ta, por të ketë parasysh që me protestën tonë nuk ka asnjë lloj lidhje se protesta jonë do mbarojë kur qeveria të mbarojë komplet të gjithë batakçillëkun që ka bërë me zgjedhjet", - tha ai.
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi tha se me anti-mitingje nuk mund të sulmohen protestat e opozitës. Edhe Prec Zogaj theksoi pas takimit se Shqipëria nuk gjen paqe dhe nuk mund të hedhë asnjë hap para me një qeveri që nuk ka dalë nga kutitë e votimit, por ka dalë nga kombinacionet e tavolinave.