Maturantët "e huaj", provim gjuhën shqipe
Vështirësohet gara universitare për të gjithë ata të rinj që katër vitet e shkollës së mesme i kanë kryer jashtë vendit dhe që tani dëshirojnë t’i hyjnë rrugës së maturës shtetërore në vend. Për t’u bërë pjesëmarrës në kandidimin për në universitetet publike shqiptare, ata duhet që më parë të provojnë njohuritë e tyre të gjuhës shqipe. Ministria e Arsimit ka menduar se të gjithë këta të rinj që janë diplomuar jashtë vendit duhet t’i nënshtrohen një testimi pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Njohja e mirë e gjuhës shqipe do t’i bëjë ata pjesë të procedurave të maturës shtetërore 2010.
Kështu, në rregulloren e re të firmosur edhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, thuhet se “zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës”. Po kështu, mbështetur mbi këtë rregullore, kjo kategori nxënësish do të detyrohet që t’i nënshtrohet edhe katër provimeve të maturës, në ndryshim nga vitet e kaluara, kur ata jepnin vetëm dy prej tyre.
“Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në universitet, duhet të japin Matematikën, Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ose një nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2)”, thuhet në këtë rregullore.
Ndërsa lidhur me provimet me zgjedhje, rregullorja saktëson se për këta të rinj që kanë studiuar jashtë vendit do të respektohet zgjedhja individuale, përveç gjuhës së huaj, kur këtë e kanë dhënë si provim të detyruar.
Përfaqësues zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, duke ju referuar rregullores, bëjnë me dije se kjo kategori konkurruesish duhet t’i dorëzojë dokumentet brenda periudhës 1-15 prill. Dosja përmban kërkesën me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike, dëftesën origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara dhe pasaportë ose kartë identiteti.
Gjuha shqipe, prej gati një dekade është bërë pjesë e kurrikulës mësimore të shkollave të mesme në vendin tonë. Ajo nuk është lëndë më vete, por gjendet e shkrirë në programin e Letërsisë.
Matura Shtetërore e këtij viti ka pësuar ndryshime të vogla në raport me vitet e shkuara që nga koha e aplikimit të saj për herë të parë. Ndërkohë që prioritet këtë vit do të konsiderohet përfundimi dhe marrja e rezultateve për të katër provimet e maturantëve, përpara plotësimit të Formularit A2.
#