Kriza, investitorët e huaj largohen nga Shqipëria
Shqipëria pati një rezultat negativ te zëri i investimeve të huaja direkte gjatë muajit dhjetor, gjë që ndodh për herë të parë qëkur statistika të sakta filluan të përpilohen. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në dhjetor 2009, në vendin tonë hynë 1.94 milionë euro në formë investimesh direkte të huaja dhe dolën 2.24 milionë euro, me një bilanc neto prej minus 0.3 milionë. Gjatë dy viteve të fundit, në vendin tonë kanë hyrë mesatarisht 55 milionë euro investime të huaja, ndërsa kanë dalë rreth 2 milionë euro në muaj. Deficiti tek investimet e huaja direkte është shkaktuar nga mungesa e interesimit të të huajve për ekonominë tonë, si dhe nga largimi i fitimeve që kompanitë e huaja kanë realizuar në vitet paraardhëse.
Gjatë vitit të kaluar, në vendin tonë hynë 664 milionë euro në formën e investimeve, me rritje 7 për qind kundrejt një viti më parë, kur patën ardhur 620 milionë euro. Por një pjesë e rëndësishme e këtyre investimeve erdhën nga shitja e aseteve publike si paketa minoritare e qeverisë tek AMC apo privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Investimet e huaja direkte konsiderohen si faktori më i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të një vendi, sepse së bashku me kapitalin, investitorët sjellin njohuritë, si dhe teknologjinë e re, gjë që bën të mundur zhvillimin e një vendi shumë më shpejt sesa do të zhvillohej në metodën tradicionale të akumulimit gradual të kapitalit dhe diturisë. Investimet e huaja kanë ardhur në rritje në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2004 qenë vetëm 267 milionë euro. Shumica dërrmuese e investimeve erdhi nga shitja e kompanive publike, si dhe nga kreditë që disa banka i morën në tregjet ndërkombëtare për t’ia transferuar biznesit dhe familjeve shqiptare. Por megjithëse investimet e huaja janë të rëndësishme për thithjen e kapitalit dhe teknologjisë së re, ato në fund të fundit klasifikohen si borxhe të një vendi kundrejt botës, borxhe që herët a vonë do të shlyhen. Ajo çfarë ndodhi gjatë viteve 2008 dhe 2009, qe pikërisht kjo. Fitimet e realizuara nga investimet e huaja që erdhën në fillim të viteve 2000, u transferuan në masë në vendet e origjinës në formë dividenti. Kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri transferuan gjatë periudhës janar-shtator të vitit të kaluar 234 milionë euro fitime me një rritje prej 35 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2008, duke sjellë edhe thellim të defiticit të bilancit të pagesave të vendit dhe presion nënçmues mbi monedhën kombëtare. Transferimi i fitimeve nga Shqipëria duket se është trefishuar në vitin 2008 në krahasim me vitin 2007, ndërkohë që vijoi të rritet edhe gjatë vitit të shkuar, kur ekonomia botërore dhe ajo shqiptare qe në krizë. Nuk ka ndonjë rrugë shumë efikase të ndalimit të kësaj hemorragjie financiare. Disa vende në Afrikë kanë tentuar herë pas here të ndalojnë me ligj transferimin e fitimeve, por kjo është një praktikë shumë negative.
E ardhmjaBanka e Shqipërisë dhe shumë ekspertë të tjerë besojnë se investimet e huaja do të jenë burimi i vetëm i mundshëm për Shqipërinë në dekadën në vazhdim. Vetëm thithja e investimeve mund të sigurojë rritje të lartë ekonomike si ajo që kemi parë në dekadën e shkuar, për shkak se burimi tjetër i rëndësishëm, të ardhurat nga emigrantët, pritet të vijnë në rënie. Por duke marrë parasysh se 20-40 për qind e investimeve të huaja që kanë ardhur në Shqipëri, kanë shkuar për blerje ndërmarrjesh publike, shanset që rritja të vijojë edhe për vitin 2010 janë shumë të pakta. Me përjashtim të “Albpetrolit”, asnjë kompani tjetër e madhe nuk ka mbetur më në duart e shtetit, pra nuk ka çfarë të privatizohet.
#