E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët përgatiten për provimin e mjekësisë, konsultime në shkollë me mësuesit e lëndës

Fondi i pyetjeve për provimin e informatizuar është publikuar dhe maturantët me rezultate të larta, që synojnë një nga programet e Mjekësisë, kanë nisur nga puna për përsëritjen e njohurive dhe zgjidhjen e të gjitha ushtrimeve. Maturantja e shkollës së mesme “Ismail Qemali”, Dea Bellova, rrëfen se ëndrra e saj është mjekësia, ndaj disa orë në ditë në shtëpi ia kushton vetëm zgjidhjes së pyetjeve të lëndëve bazë të këtij provimi: biologji, kimi dhe fizikë. Ajo është e ndërgjegjshme që duhet të punojë fort për t’ia arritur qëllimit.

“Patjetër biologjia që është lëndë me zgjedhje mund të ketë më tepër sfida, por me konsultimet që kemi bërë me mësuesit, boshllëqet që kemi pasur deri tani po plotësohen pak nga pak”, u shpreh Bellova

Edhe maturanti Johan Ndreu, me rezultate të larta, përveç punës individuale në shtëpi ndjek rregullisht konsultimet në shkollë.

“Lënda që i kushtoj më shumë vëmendje është matematika si një lëndë më e vështirë”, tha ai.

Mësuesja e Biologjisë në shkollën e mesme “Ismail Qemali” Jonida Varfi sqaron se, veç programit të ditës, mësuesit e lëndëve zhvillojnë konsultime pas orës së mësimit ose para nisjes së tij për paqartësitë që kanë hasur maturantët gjatë punës së tyre individuale. Në fakt, interesi duket i lartë.

“Ka raste kur nxënësit vijën të fokusuar, pro ka edhe raste kur ora e konsultimeve mbetet tërësisht në dorën e mësuesit, i cili përpiqet t’i orientojë mbi bazën e eksperiencës drejt temave apo ushtrimeve që janë pjesë e programit”, tha ajo.

30% të vlerësimit të një maturanti do ta zërë testi i automatizuar, ndërsa 70% të totalit të pikëve mesatarja e shkollës së mesme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›