Njerëz në udhëkryq/ Historia e 23 vjeçares të dhunuar nga bashkëshorti që jeton e pa strehë
Njerëz në Udhëkryq
Rubrika më e re e bazuar në histori njerëzore do të vazhdojë edhe këtë javë në Tirana Observer. Personazhe reale që ndihen të pashpresë, që kanë provuar mbi vete, dhunën e varfërinë do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës tonë, historitë e tyre, apo fatin me të cilin këta njerëz janë të destinuar të jetojnë. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim… janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë edhe pse vetëm i shkruar është një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptare…Nëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi! Historia e radhës i përket 24 vjeçares Ana Muharremi e cila e dhunuar për disa vite nga bashkëshorti tashmë prej një viti jeton e vetme me tre vajzat e saj të vogla duke u përpjekur të mbijetojë. Apeli i kësaj gruaje i shkon shoqatave në mbrojtje të grave, pasi ajo është e pastrehë dhe për tu larguar dhunës nga bashkëshorti i saj, jeton në një banesë të sajuar me dërrasa në zonën e Don Boskos. Nëse edhe ju keni një histori të njëjtë merrni guximin! Denonconi edhe ju diskriminimin apo varfërinë me të cilën përballeni çdo ditë të jetës tuaj. Ju mirëpresim në tiranaobserver@gmail.com. Ju mirëpresim
23 vjeçarja e dhunuar shtatë vite nga bashkëshorti
A.Muharremi: Jetoj pa strehë dhe e
kërcënuar me tre vajzat e mitura
Nga Arta AGOLLI
23 vjeçarja Ana Muharremi prej disa vitesh i ka mbijetuar dhunës nga ish bashkëshorti i saj, madje për këtë problem ajo ka zgjedhur të jetojë e vetme me tre vajzat e saj të mitura pa asnjë strehë e në pamundësi të theksuara ekonomike. Anën e takojmë diku në një prej kryqëzimeve në zonën e ish bllokut. Historia e saj i përngjan një drame të vërtetë pasi ajo përgjatë shtatë viteve ka jetuar nën dhunën e ushtruar nga ish bashkëshorti i saj. Ndërsa në krahë ka më të voglën prej tre vajzave të saj, Ana shprehet për gazetën se shpesh herë i është drejtuar edhe disa shoqatave por drejtueset e këtyre institucioneve e kanë mbajtur disa orë e më pas nuk kanë pasur mundësi ta ndihmojnë më tej.
Dhuna
Ana rrëfen se ka më shumë se një vit që ka ikur nga shtëpia e bashkëshortit dhe ende përjeton dhunën e kërcënimet e tij, madje në disa raste ai e ka dhunuar bashkë me vajzat e vogla. Jam përballur disa herë me të në rrugë, më ka dhunuar mua dhe vajzat, kam shkuar në polici tre herë dhe vetëm sa e kanë shoqëruar, ai është i alkoolizuar dhe kur ishim në shtëpi me nxirrte në rrugë me forcë të lypja dhe nuk punonte të ushqente vajzat, kërkoj ndihmë prej policisë, dhe prej shoqatave, apo institucioneve shtetërore shprehet e indinjuar Ana ndërsa thekson se e vetmja mundësi për të ushqyer fëmijët janë ato pak para që i japin njerëzit në rrugë, kur e shohin me foshnjën në krahë.
Apeli
Duke përfituar nga ditët e nxehta Ana foshnjën 10 muajshe që mban në krahë e ka mbështjellë vetëm më një çarçaf të vjetër, ndërsa vetë është e zbathur. Duke i bërë apel edhe Ministrisë së Punës apo Bashkisë së Tiranës që tri mundësojnë një strehë normale ku të mund të jetojë me tre vajza e saj, Ana tregon se është e detyruar që të dalë në rrugë për të lypur. Dal të lyp në rrugë, se nuk kam me çfarë ti ushqej tre vajzat e mia, 2 mijë (lekë) të vjetra në ditë nxjerr, mund të them që shteti komunitetin e grave rome e ka lënë në rrugë të madhe, por kam një thirrje që edhe fëmijët tanë duan të hanë, edhe ata meritojnë të jetojnë si gjithë fëmijët e tjerë shprehet 23 vjeçarja. Sipas saj me paratë që nxjerr nga lypja në rrugë ajo mund të blejë vetëm dy bukë dhe një qese me fasule e nëse fëmijët e saj sëmuren ajo e ka të pamundur ti dërgojë në spital për tu mjekuar. Me sy të trishtuar thotë se ajo është rritur vetëm me babain e saj i cili ka humbur jetën disa vite më parë, dhe nuk ka asnjë mbështetje që të mund ta ndihmojë. Jetoj vetëm me vajzat e mia të vogla, në një kasolle të vjetër, i shpëtova dhunës nga ish burri edhe pse nuk e kam bërë divorcin atje tek ai nuk kthehem më sikur të më vrasin por tani nuk di ku të përplasem tregon Ana ndërsa duket se e vetmja shpresë për të është ndonjë prej shoqatave të grave ku ajo mund të jetojë me vajzat e saj të vogla.
23 vjeçarja: Gra, shpëtoni prej
dhunës, apel shtetit për ndihmë!
Edhe pse ka një histori të dhimbshme duke u rritur vetëm nga babai i saj, pasi nënën e ka humbur në moshë shumë të re, Ana 23 vjeçare edhe pse po vuan për të ushqyer tre vajzat e vogla të saj, ende ka shpresë se institucionet shtetërore do të bëjnë dicka për të. Madje ajo shkon edhe më tej duke ju bërë apel të gjitha grave rome, pasi sipas saj femrat më të dhunuara në Shqipëri janë pikërisht ato që bëjnë pjesë në komunitetin rom, për shkak të varfërisë e të pamundësisë për tu arsimuar. Duke rrëfyer detaje për jetën e saj Ana shprehet se babai i saj ka qenë shumë fanatik e për këtë shkak nuk e ka lënë të shkojë në shkollë, pasi ajo mbaroi arsimin tetëvjeçar. Më pas ai e ka martuar dhe pikërisht këtu kanë filluar problemet, pasi bashkëshorti që në fillim ishte i alkoolizuar dhe e dhunonte vazhdimisht. Ka rreth shtatë vite që më trajton sikur të jem leckë, atij gjithmonë i ka pëlqyer të pijë prej një viti, vjen në shtëpi në gjendje shumë te keqe më gjuan me shkelma, më shan e më godet pa të keq tregon 23 vjeçarja. Duke mbajtur në krahë fëmijën që e ka zënë gjumi pa ngrënë asgjë, Ana bën apel për ndihmë. Nëna e re gjendet në vështirësi të mëdha duke mos mundur të ushqejë dot fëmijët e saj. Duke u munduar të mos zgjojë vogëlushen që fle në krahët e saj ajo na tregon se e vetmja ndihmë për të do ishte një strehë ku të jetonte e qetë pasi ende ndihet e kërcënuar nga ish bashkëshorti. Nëse nuk më besoni mund të vini tek shtëpia ime e të shikoni se në çfarë skamjeje jetoj, vajzat shpesh herë mi zë gjumi pa ngrënë, në rrugë duke lypur ka raste që nuk fitoj asgjë, ndaj kërkoj ndihmë shprehet duke ju dridhur zëri 23 vjeçarja rome. Apeli i Anës i shkon të gjithë shoqatave që do të kenë mundësi ta ndihmojnë me veshmbathje dhe ushqime, apo edhe personave të ndryshëm që kanë mundësi ta punësojnë. 23 vjeçarja nuk ka asnjë te ardhur tjetër financiare përveç parave që nxjerr në rrugë duke lypur, dhe me to shpesh herë siguron vetëm bukë thatë për tre vogëlushet e saj. Dhe ne njerëz jemi, jemi femra, nëna të këtyre fëmijëve që bien në gjumë me stomakun bosh, jemi bija të prindërve që kurrë su gëzuan për jetën tonë, ndaj bëj apel që të merremi në konsideratë, ndaj ju them të gjitha grave që të mos e durojnë dhunën e ti lënë bashkëshortët e tyre që i dhunojnë. Kështu e mbyll rrëfimin e saj 23 vjeçarja nga Tirana.