Maturantët, sot afati i fundit për formularin A2
Sot është dita e fundit kur maturantët duhet të dorëzojnë Formularin A2 në shkolla. Pas kësaj date, burime pranë shkollave të mesme, deklarojnë se nuk do të pranojnë asnjë formular. Ndërkohë që Ministria e Arsimit ka lajmëruar edhe njëherë maturantët e vjetër, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit të 2009, se do të kenë kohë edhe 7 ditë për t'u regjistruar në Formularin A2
"Të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe nuk kanë plotësuar formularin A1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pra AVA, në Tiranë, për t'u regjistruar për formularin A2, deri më datën 20 korrik 2009", - thuhet në njoftimin e dalë nga MASH-i. Ministria e Arsimit bën me dije se plotësimi i formularit A2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë ata kandidatë që duan të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Akademinë e Sporteve "Vojo Kushi" dhe programet e studimit të Edukimit Fizik e Sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurse përkatëse, që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve. Po sot do të nisë edhe korrigjimi i testeve të lëndëve me zgjedhje, provim i dhënë ky më datë 10 korrik. Në bazë të afatit të përcaktuar edhe në rregulloren e Maturës Shtetërore, afati i fundit kur pritet të dalin rezultatet e marra nga maturantët në 10 lëndët me zgjedhje, do të jetë data 24 korrik 2009.