E Diel, 1 Nëntor 2026

Mavraj dhe Basha: Shqipëria mund të shkojë larg

Mërgim Mavraj ka sjellë në kombëtare një frymë tjetër, frymën e optimizmit, të besimit, pse jo, dhe të vendosmërisë këmbënguljes së pastershme, se me një skuadër të bashkuar e kompakte në fushë, arrihet gjithçka. Mavraj, në konferencën për shtyp, dy ditë para ndeshjes me Norvegjinë, i ka kujtuar skudrës se nuk duhet të kenë frikë nga “vikingët”, teksa thotë: “Jemi realistë për fuqinë që kanë të gjithë lojtarët. Ne i kemi borxh kombëtares fitoren dhe ne do të luajmë për fitore, por çfarë do të vijë në fund, nuk dihet, sepse ky është futbolli. Nuk është mbrojtja gjithçka, por është e gjithë skuadra që e mbron portën. 

Nuk është shkak mungesa e Canës, Lilës apo Currit, të gjithë jemi për të mbrojtur. Ne e kemi mundur Norvegjinë në Oslo dhe do ta mundim edhe këtu.” Dje ka folur edhe mesfushori Migjen Basha, që thotë se do të bëjë të pamundurën, për të dhënë më shumë se në Oslo për të dalë sërish te fitorja. “Shqipëria ka një grup shumë të mirë. Ekipi në përbërje ka lojtarë që kanë cilësi dhe forcë. Nga stërvitjet që kemi bërë, jemi njohur edhe më shumë me lojën e njëri-tjetrit. Në fushë ne futemi gjithmonë për fitore. Asgjë nuk është e pamundur, sidomos me publikun tonë të zjarrtë. Ecuria deri tani ka qenë e mirë dhe duhet të vijojmë me këtë frymë”, - deklaroi mesfushori Migjen Basha, të cilit tashmë i është bashkuar edhe i vëllai, Vullneti.

(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›