Mazhoranca, drafti për Gjykatën Administrative në shtator
Të gjithë biznesmenët dhe qytetarët që kanë probleme me organet tatimore, doganat apo edhe pronësinë nuk do të duhet më të sorollaten pa fund gjykatave penale, pasi shumë shpejt do të krijohen organizma të posaçme për gjykimin e këtyre çështjeve, ose siç njihen në gjuhën e jurisprudencës, gjykatat administrative. Ministria e Drejtësisë ka përfunduar dhe ka gati projektligjin “Për krijimin e Gjykatave Administrative” që shumë shpejt, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, forcat politike dhe Kuvendi i Shqipërisë pritet ta marrë atë në shqyrtim. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi ka zbardhur dje disa nga detajet e këtij drafti, ku ka theksuar se qëllimi final i tij është që të limitojë brenda një kohe shumë të shkurtër shqyrtimin e një çështjeje administrative, siç mund të jenë pretendimet e qytetarëve apo bizneseve për gjobat administratës tatimore, apo dhe pretendimet e tjera në lidhje me masën e tatimit etj. Duke cilësuar problemin e çështjeve administrative si një gangrenë që shpesh është bërë pengesë për zhvillimin e biznesit, zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat, Bumçi është shprehur se me këtë nismë pritet t’i jepet fund dhe debatit shumë të gjatë që shkaktoi ligji për gjobat ndaj biznesit që mazhoranca miratoi gati një vit më parë. “Është një lajm shumë i mirë që u jepet të gjithë qytetarëve dhe sipërmarrësve që kanë probleme administrative me doganat, tatimet, pronat etje. Shumë shpejt, në fillim të sesionit të ri parlamentar ne do të miratojmë një ligj shumë të rëndësishëm, siç është ai për gjykatën administrative për bizneset, çështje që merrnin një kohë sesa parashikonte Kodi i Procedurës Administrative dhe Ligjet Shqiptare, për shkak të mungesës së profesionalizimit dhe ngarkesës që kishin gjyqtarët me çështje të tjera”,- tha Bumçi. Një risi tjetër që pritet të sjellë ky ligj është dhe diskutimi dhe gjykimi në këto lloj gjykatash i çështjeve të pronësisë mbi tokat dhe trojet. Me këtë ligj parashikohet që të krijohet Gjykatat Administrative në Shqipëri, të cilat do të merren pikërisht me çështje dhe problemet që kanë qytetarët ose sipërmarrësit me administratën doganore, tatimore e kështu me radhë dhe të cilat do të zgjidhen nga gjyqtarë të posaçëm, në një kohë shumë të shkurtër. Por Bumçi ka bërë të ditur se edhe ky projekt, ashtu si edhe projektet e tjera që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë, siç është projektligji për administratën gjyqësore, apo edhe ai për Prokurorinë do të diskutohet së bashku me grupet e interesit, për të kërkuar më pas dhe konsensusin e opozitës. Sipas tij, jo vetëm për rëndësinë për fushën që trajtojnë këto projektligje, por edhe për mungesën e numrit të duhur të votave, konsensusi i opozitës bëhet i domosdoshëm. “Këto nisma, kur të vijnë në Kuvend, do të diskutohen së bashku me opozitën dhe nuk mund të kalohen në mënyrë të njëanshëm as për shkak të votave”,- u shpreh Bumçi.
------------------------------------------Berisha: Bush prezanton Berishën tek Presidenti i Brazilit
Vizita e kryeministrit Sali Berisha në Kinë nuk ka shërbyer vetëm për t’i dhënë një mbështetje morale sportistëve tanë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, që po zhvillohen në këtë vend, por edhe për të prezantuar Shqipërinë tek një sërë kryetarë shtetesh që kanë marrë pjesë dje në hapjen e olimpiadës. Kryeministri Berisha ka qenë i ftuar në pritjen madhështore dhe drekën, të organizuar nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao, për 101 Kryetarë Shtetesh dhe qeverish nga mbarë bota, ku dhe ka takuar një sërë kryetarë shtetesh midis të cilëve presidentin e Brazilit, Lula, presidenten e Filipineve, Gloria Arroyo, presidentin e Afganistanit, Hamit Karzai, presidentin e Bosnjës, Haris Silajxhiç, presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryeministrin e Holandës, Jan Peter Balkenende, kryeministrin e Australisë, Kevin Rudd, presidentin e Republikës Socialiste të Vietnamit, Nguyen Minh Triet, kryeministrin e Pakistanit, Yousaf Raza Gilani, kryeministrin e Angolës, Xhibutit, Madagaskarit etj. Gjithashtu kryeministri Berisha u takua dhe u përshëndetën me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W.Bush dhe Zonjën Laura Bush, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Presidenti Bush u interesua gjallërisht për Shqipërinë, ndërkohë që në një gjest miqësor, prezantoi si mik të tijin kryeministrin Berisha tek presidenti i Brazilit, Lula dhe Presidentja e Filipineve, Gloria Arroyo.