Trupat ruse hyjnë në Oseti
NATO bën thirrje për paqe, kryeministri rus Putin thotë se do të hakmerret ndaj gjeorgjianëve
Ajo që të gjithë i druheshin, plasi mbrëmjen e së enjtes, duke treguar edhe njëherë se diplomacia botërore është e pafuqishme të reagojë kur vjen fjala për shuarjen në embrion të konflikteve etnike. Tanket ruse shkelën Osetinë Jugore mëngjesin e djeshëm, duke ndezur kësisoj fuçinë e barutit me Gjeorgjinë pro-perëndimore të udhëhequr nga Mikhail Sakashvili, ndërsa tashmë Europa, SHBA dhe NATO, duhet të gjejnë një zgjidhje për të zbutur palët në fushën e betejës. Gjeorgjia e kishte thënë edhe më parë se Osetia Jugore është tokë e saj, e për këtë arsye nuk do të lejonte shkëputjen, por rusët nuk dëgjuan nga ai vesh. Mosbindja e Osetisë dhe kërkimi në mënyrë radikale, për shkëputje nga Gjeorgjia, detyroi këtë të fundit që të ndërhynte ushtarakisht për të nënshtruar provincën e pabindur, gjë që solli përnjimend edhe reagimin ushtarak të rusëve. Ministria e Mbrojtjes së Gjeorgjisë njoftoi se pas bombardimit nga ana e saj të kryeqytetit të Osetisë së Jugut, Tskhinvali, pas sulmit të separatistëve, 150 tanke ruse janë parë të hyjnë në territorin që kërkon pavarësinë nga Gjeorgjia. Presidenti gjeorgjian e cilësoi futjen e trupave ruse, si përfshirje të këtyre forcave në konflikt, çka logjikisht ka çuar në gjendjen e luftës midis dy vendeve. Nga ana tjetër Rusia nuk e ka mohuar faktin se tanket e saj kanë shkelur Osetinë Jugore, por ka deklaruar se po dërgon riforcime për përkrahje të paqeruajtësve. Armëpushimi i njoftuar nga gjeorgjianët është prishur në orët e mesditës, ku separatistët osetianë janë përleshur me trupat ushtarake gjeorgjiane, ku flitet se numri i viktimave është me dhjetëra. Tbilisi zyrtar pretendon se avionët rusë kanë shkelur territorin gjeorgjian dhe kanë sulmuar një aeroport fare pranë kryeqytetit, njoftim që mbetet ende për t’u parë se sa i saktë është. Lajme dhe kundërlajme vijnë nga provinca jugore. Udhëheqësi separatist i Osetisë së Jugut tha se qindra civilë kishin vdekur pas sulmit gjeorgjian, por kjo nuk është provuar në mënyrë të pavarur. NATO, SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për dhënien fund menjëherë të armiqësive. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i bëri thirrje gjithë palëve të përfshira, të fillonin bisedime direkte. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim emergjent mbi krizën, por nuk arriti në një përfundim lidhur me fjalët e projekt-deklaratës. Takimi i thirrur me kërkesë të Moskës u fokusua në një deklaratë të kësaj të fundit që i bën thirrje si Gjeorgjisë dhe banorëve në Osetinë e Jugut, të ndalojnë luftimet dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës. Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Gjeorgji, Kakha Lomaia, tha se operacioni ishte në përgjigje të zjarrit të artilerisë nga ana e separatistëve. "Në përgjigje të armëpushimit të njëanshëm të shpallur nga presidenti Saakashvili dhe oferta e tij për bisedime paqësore, separatistët hapën zjarr kundër fshatrave të Tamarashenit dhe Prisit. Sipas të dhënave tona, ka të lënduar në radhët popullatës civile. Në të njëjtën kohë ne kemi zbuluar lëvizje të qindra mercenarëve nëpër tunelin që lidh Federatën Ruse me Gjeorgjinë",- tha Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Gjeorgji, Kakha Lomaia. Separatistët gëzojnë përkrahjen e Rusisë, që ka trupa paqeruajtëse në Osetinë Jugore. presidenti rus, Dimitri Medvedev thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa kryeministri Vladimir Putin premtoi se Rusia do të reagonte ndaj asaj që ai e quajti agresion gjeorgjian. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi një mbledhje urgjente, por nuk miratoi një deklaratë të kërkuar nga Rusia që i bënte thirrje Gjeorgjisë dhe forcave të Osetisë Jugore që të hiqnin dorë nga dhuna. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se Rusia po përpiqej të shfrytëzonte të gjitha mjetet diplomatike dhe politike për të shmangur shkallëzimin e mëtejshëm të situatës.