Fluksi i emigrantëve, 5 km radha në Kakavijë
Kakavijë- Fluksi i madh i emigrantëve që duan të hyjnë në Shqipëri ka shkaktuar një radhë të gjatë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Sipas burimeve nga dogana mësohet se radha në anën greke të kufirit ka arritur në 5 kilometër. Të gjithë, emigrantë shqiptarë me automjetet e tyre, ose me autobusë, në pritje për të hyrë në atdhe.
Pas problemit të krijuar me radhën e gjatë, burimet policore pas interesimit, kanë bërë të ditur se nuk ka probleme me vijueshmërinë normale të punës në sportele, si nga dogana jonë, ashtu edhe nga ajo greke. Sipas tyre radha është shkaktuar se në fundjavë zakonisht ka dyndje të madhe emigrantësh që shfrytëzojnë këtë kohë për të lëvizur.
Aktualisht pala greke është duke punuar me 4 sportlele në hyrje dhe 4 sportele në dalje. Kurse dogana jonë po punon me 7 sportele në hyrje dhe 3 në dalje.
“Gjatë 10 orëve të fundit kanë hyrë në tokën shqiptare 5700 shtetas dhe rreth 1400 automjete”- thanë burimet nga Kakavija.