Mazhoranca e çon imunitetin drejt dështimit. Bregu: Ne do VOTOJME më 6 gusht për variantin e opozitës
Mazhoranca thotë se do votojë për variantin e opozitës, duke bërë kështu propagandë politike, sepse e vetme nuk e miraton dot ligjin. Pas dështimit të votimit, do duhet një vit që imuniteti të rihyjë në axhendën e Kuvendit. Mazhoranca në këtë mënyrë mbyll edhe diskutimin për ndryshime të tjera kushtetuese
Mazhoranca paralajmëron votën e saj pro më 6 gusht për heqjen e imunitetit, edhe pse ajo nuk bën të mundur miratimin e draftit për ndryshime kushtetuese, pasi ligji kërkon një shumicë të cilësuar.
Nëse mazhoranca voton dhe drafti rrëzohet, atëherë do të duhet një vit që drafti do të hyjë në axhendën e Kuvendit.
Në këtë mënyrë mazhoranca do e mbyllë edhe debatin për ndryshimet kushtetuese.
Këtë fakt e bëri të ditur ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ajo tha se ata do të votojnë për variantin e opozitës.
Është e pesta herë që kjo maxhorancë sjell inciativën për heqjen e imunitetit, këtë radhë me një variant të zgjedhur tërësisht nga opozita, të hartuar tërësisht nga ekspertë ndërkombëtarë, të pasuruar tërësisht me komentet e opozitës. Pra me datën 6 gusht ne do të votojmë variantin e opozitës. Në votimin tonë të fundit, në shkurt të 2011-ës, në Parlament, ku maxhoranca në pamundësi të votave, votoi heqjen e imunitetit sipas modelit të Bundestagut gjerman, të gjithë kolegët e opozitës, janë shprehur se rruga e vetme do të ishin ndryshimet kushtetuese, tha Bregu.
Nëse opozita mendon akoma se korrupsioni është një e keqe që duhet zhdukur, një sfidë që duhet fituar, se ministrat pa imunitet, janë një mundësi më shumë për luftën e saj politike kundër maxhorancës, nëse opozita ende vepron sikurse shprehet, nëse opozita është institucion i këtij vendi dhe jo pengmarrje e Ramës dhe e frikës së tij, nëse opozita është ajo që vepron siç deklaron, atëherë sot i bëj thirrje vokacionit evropian të zotit Bushati, vokacionit politik të zotit Braçe, vokacionit ligjor të zotir Xhafa e zonjës Hysi, vokacionit tradicional shqiptar të zotit Ruçi, që thotë se burri e mban fjalën, si dhe vokacionit të të gjithë deputetëve socialistë, që kanë ardhur në parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë, ta mbajnë fjalën!
6 gushti është shansi për të çuar përpara axhendën kombëtare të integrimit!
Braktisja e këtij shansi nga opozita është ribllokim i procesit të integrimit!
Shqiptarët dhe Shqipëria kanë humbur 2 vjet kohe, nga papërgjegjshmëria e Edi Ramës!
Asnjë shqiptar nuk i ka borxh Edi Ramës të humbasë përsëri shansin e merituar, vetëm sepse ai kërkon të mbrojë lidhjet e tij të dukshme e të padukshme me krimin, paligjshmërinë dhe korrupsionin! vijoi Bregu.