Pse Fyle i përmend Berishës nevojën për të qenë i sinqertë për reformat?
Debati që po bëhet për heqjen e imunitetit po kthehet në një bezdi mediatike. Çdo ditë thuhen të njëjtat gjëra.
Fillimisht del Berisha ose dikush nga PD që thotë se PS po pengon luftën ndaj korrupsionit sepse këtë e kërkojnë miliarderët e PS.
Më pas del PS, që thotë se tani që është zgjedhur presidenti i ri, reforma kushtetuese duhet të përfshijë jo vetëm heqjen e imunitetit, por garanci më të mëdha për institucionet e pavarura në vend.
Ndërkoha mazhoranca mundohet ta kthejë këtë në një debat me ngjyra populiste, duke deklaruar se opozita nuk e do luftën kundër korrupsionit, kurse atyre iu ka rënë bretku duke e luftuar.
Po ashtu ka edhe një tentativë tjetër, për të nxjerrë sikur opozita e ka kërkuar votimin më 6 gusht, duke përdorur ca interpretime të rregullores.
Kështu ndodhi edhe sot kur ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu recitoi me shpejtësi një deklaratë ku thuhej se opozita e paska kërkuar votimin më 6 gusht.
Tani është e qartë se thelbi i debatit është nëse mazhoranca do pranojë paketën e ndryshimeve kushtetuese, për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve të pavarura me shumicë të cilësuar ose jo.
Por në sy të bie që Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i ka dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha (dhe jo edhe kryetarit të PS, Edi Rama), ku i kërkon vazhdimin e reformave. Fyle e quan të domosdoshme reformën për heqjen e imunitetit, por janë interesante dy fjali të Fyles në letër.
Së pari ai i thotë Berishës se ju si kryeministër jeni në pozicionin më të mirë për të inkurajuar procesin e reformave dhe së dyti, ai i kërkon Berishës të jetë i sinqertë dhe i aftë për kompromis. Kam besim se ju personalisht si kreu i qeverisë do të vazhdoni punën e orientuar në rezultate dhe të fokusuar në reforma dhe ngulmimin për të treguar sinqeritet dhe aftësi për kompromis me qëllimin për të arritur paraqitjet dhe rezultatet e nevojshme në shtator.
Janë pikërisht këto dy problemet e mëdha të Berishës. Së pari, ai mendon se të këqijat i vijnë vendit nga opozita dhe ai nuk ka gjë në dorë dhe së dyti nuk është as i sinqertë dhe as i aftë për kompromis.