Mazhoranca e re, drejt mandatit të 84-t?
Kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, gjatë një dalje për mediat ditën e djeshme, ka thënë se kjo parti mund të marrë një deputet nga opozita e ardhshme. Çka do të bënte që mazhoranca të bëhej me 84 deputetë, duke qenë se partia e Bushatit është në koalicion me të majtën.
Aleanca Demokristiane është partia më e organizuar nga të katër partitë demokristiane. Niveli i lartë intelektual i Kryesisë, fryma e qytetarisë, emancipimit dhe civilizimit që rrezaton ADK, ka bërë që jo vetëm të rritet autoriteti i Partisë, por që të ngjallë dhe ndjenjën e respektit dhe të interesit nga mjaft intelektualë, por edhe nga ndonjë deputet që ka fituar mandatin në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ne jemi në bisedime dhe mendoj se së shpejti një deputet do të shkëputet nga opozita për t’iu bashkëngjitur Partisë Aleanca Demokristiane, tha Bushati.
Ndërkohë, ai ka hedhur poshtë propozimin e Nard Ndokës për bashkimin e demokristianëve në një Federatë.
Këtë lloj deklarimi nuk e quaj me vend. E kam dëgjuar disa herë në media që të bashkohen partitë kristiane. Ne kemi një pozicion të mazhorancës në këtë vend. Ne me dy partitë demokristiane që janë në opozitë, ne jemi në opozitë me ta. Ne nuk kemi ndërmend që të ndryshojmë pozicionin tonë politik. Nëqoftëse ata e rishikojnë pozicionin e tyre dhe kërkojnë që të ikin nga opozita dhe të kthehen në mazhorancë, është e drejta e tyre. Në radhë të parë ata duhet të bisedojnë me krerët e këtij koalicioni, duhet të bien dakord sepse smund të ndryshohet pozicioni politik sa herë të duan. Pasi të kalojnë në një pozicion tjetër politik, unë mendoj se është një moment që edhe mund të dialogohet. Por sot për sot, dialogu ynë është vetëm me një parti e cila bën pjesë në mazhorancë./b.l