E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Nuk kemi borxhe ndaj PD-së, gati të kontribuojmë në qeverisje

idriziKryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi thekson se roli i PDIU-së në parlament do të  jetë konstruktiv në mbështetje të çështjeve kombëtare, atyre të integrimit euroatlantik dhe problemet që shqetësojnë  diasporën shqiptare.

Sipas tij , PDIU-ja në pralament do të jetë mbi palët dhe do të ketë si busull interesin kombëtar dhe atë ideologjik.

Pavarësisht aleancës me PD-në  të bërë në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, Idrizi thekson se nuk  ndien ti ketë borxh askujt, por do të punojë intensivisht në parlament dhe jashtë tij për të vendosur rezolutën e çështjes çame.

Ne si kemi borxh askujt, ndaj jemi të lirë në përcaktimet e qëndrimeve tona, bashkëpunimin e mbështetjen për këdo në çështjet e integrimit, avancimit të kauzave të të gjithë shqiptarëve  e jo vetëm në Shqipërinë politike. Ne do të jemi garant për jetësimin  e rezolutës çame  e kundër çdo veprimi  që bie ndesh  me ato që sapo parashtrova më sipër, pohon Idrizi për gazetën Shqip.

Kreu i PDIU shprehet i gatshëm  për të bashkëpunuar  me qeverinë e  re  dhe për krijimin  e një ndarjeje ministrore që do ti shërbejë  diasporës shqiptare kudo nëpër botë.

Nuk mund të injorohet kontributi politik dhe social i më shumë se  30% të popullsisë së vendit. Ka forma që mund të garantohet ky kontribut, pa shtuar kosto administrative në strukturën e re  qeverisëse. Në pamundësi për të pasur një dikaster të ri, atëherë le të përfshijë  njëri prej dikastereve  të shpallura, si nëndarje të vet, atë për diasporën. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë  me bazën ligjore, rregullore për këtë dikaster. Do të ishte sinjal shumë i mirë dhe shpërblim i merituar për këtë pjesë të kombit  që aq shumë i kontribuon  të sotmes dhe të ardhmes së vendit, shprehet Idrizi./A.XH

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›