E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonat e malazezëve

Malazezët janë rekordmenë botërorë sipas numrit të telefonave celularë, krenohen autoritetet vendase. E thotë sondazhi i Institutit për Studime dhe Parashikime Strategjike për përdorimin e teknologjive informative dhe komunikuese në Mal të Zi dhe ai thotë se 65 për qind e popullit kanë 2-4 celularë, çdo e pesta familje, ka prej pesë deri shtatë telefona celularë, 13 për qind kanë vetëm një, ndërsa 2 për qind kanë më shumë se tetë celularë. Sipas të pyeturve, në 17 komunave malazeze, telefona fiks posedojnë 74.4 për qind, përderisa të dy telefonat i përdorin thuajse 68 për qind, ndërsa një e katërta shfrytëzon vetëm telefon celular. “Spiuni” u fut në www.wikipedia.org dhe gjeti se Mali i Zi ka 684,736 banorë. Atje ka 177,663 linja të telefonisë fikse (sipas vlerësimit të vitit 2005) dhe 1,089,140 abonentë të telefonave celularë. Mali i Zi është vendi i parë në Europë për përdorimin e telefonisë GSM. Po Shqipëria? Ajo, në vitin 2008 ka 3,600,523 banorë dhe sipas vlerësimit të vitit 2005, mbi 1.5 milionë abonentë. Këto tre vitet e fundit mund të jenë bërë 2 milionë, por celularë mund të jenë më shumë dhe nuk dihet, sepse shumica futen pa doganë. Por Shqipëria, me një popullsi gjashtë herë më shumë se Mali i Zi, ka vetëm tre herë më shumë linja telefonike fikse - pra 353,600 - se fqinji verior. Ne jemi vendi me nivelin më të ulët të përhapjes së telefonisë fikse në Europë dhe e kompensojmë duke marrë celularë, shumica për të bërë... zile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›