Shpëton nga vdekja, lë fshatin pa energji
Doli nga rruga, përfundoi në 200 metër thellësi dhe shpëtoi vetëm me disa plagosje të lehta. Me sa duket ka lindur me këmishë, burri që pësoi aksident në rrugën Qafë Mali-Fierzë në rrethin e Pukës. Skënder Dushaj, 33 vjeç ka marrë vetëm disa plagë të lehta në trup. Lajmin e ka bërë të ditur policia që raportoi aksidentin. Dushaj udhëtonte me automjetin e tij fuoristradë me targa të huaja në drejtim të Tropojës, në momentin e aksidentit ndodhej në fshatin Flet. Ndërkohë që policia ka shpjeguar se shpejtësia në kthesë është një nga shkaqet e këtij aksidenti. Megjithatë një arsye tjetër është rruga tejet e ngushtë, kthesat e forta dhe mungesa e sinjalistikës rrugore edhe pse rruga Qafë Mali-Fierzë është aks kombëtar. Pasi është e vetmja rrugë që lidh Tropojën me pjesën tjetër të Shqipërisë. Nga ky aksident ka mbetur pa energji elektrike fshati Flet i komunës së Blerimit pasi përcjellësit e elektricitetit janë të varura nëpër pisha dhe jo në shtylla.