E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH siguron 50 mln euro nga donatorët për sigurinë e digave

SHKRUAN: Sabina Veizaj 10-06-2011 11:18

Ka nisur nga implementimi projekti prej 50 mln euro për sigurinë e digave mbi Drin. Në kuadër të objektivave të programit rajonal për Komunitetin e Energjisë për Europën Juglindore-APL 5 është firmosur Marrëveshja Financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) si dhe Marrëveshja e projektit ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) në lidhje me Projektin e Sigurisë së Digave në hidrocentralet e kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat. Lajmin e bëri të ditur dje kreu i KESH-it, Ëngjell Zeqo, në një dalje publike për mediat. Projekti i Sigurisë së Digave, tha Zeqo, është parashikuar të realizohet nëpërmjet një financimi paralel të Bankës Botërore nëpërmjet kredisë iDA si dhe institucioneve të tjera financiare si Qeveria Zvicerane (SECO), EBRD, KFW dhe KESH. Duke iu referuar projektit, Zeqo informoi se objektivat kryesorë të projektit në fjalë janë: rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat dhe të gjitha veprave hidroteknike të tyre; rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të eficencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë. “Studimi mbi Sigurinë e Digave të hidrocentraleve të kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat i financuar në vitin 2006 nga qeveria zvicerane e përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike-SECO dhe më pas studimi i fizibilitetit, i financuar përsëri nga SECO, shërbyen si bazë për përgatitjen e Projektit për implementimin e të gjitha investimeve të parashikuara në kuadrin e projektit të sigurisë së Digave. Studimi ka bërë një analizë të thellë të gjendjes aktuale të këtyre digave në Shqipëri.”- u shpreh drejtori Zeqo. Ai tha se investimet e identifikuara nga ky studim mund të përmblidhen në: rehabilitimin e veprave shkarkuese, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit dhe monitorimit të digave, instalimin e sistemeve të alarmit, mbrojtjen nga rreziku i rënies së shkëmbinjve rreth shpateve të digave, përmirësimin dhe garantimin e rrugëve hyrëse në godinat e centraleve, digave dhe galerive të dranazhit, studimet batimetrike të baseneve, rishikimin e hidrologjisë së kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, punimet në bjefet e poshtme të këtyre hidrocentraleve me qëllim eliminimin e sedimenteve të ngurta dhe rritjen e sigurisë së veprave hidroteknike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›