Mazhoranca rrëzon Topin dy herë, nuk voton Sali Shehun, Gazmend Oketa voton pro
(E PERDITESUAR)- Dy dekrete të presidentit Bamir Topi janë rrëzuar brenda një dite nga Kuvendi. Pas rrëzimit të dekretit të kreut të shtetit mbi ligjin e plehrave, mazhoranca ka rrëzuar edhe kandidaturën e Sali Shehut me 75 vota kundër, 1 pro. Por ky votim ka nxjerrë dhe divergjencat që ekzistojnë në gjirin e PD-së pasi deputeti gazmend Oketa ka votuar pro emrit të Sali shehut. Duket hapur tashmë që Oketa ka qëndrime të kundërta me pjesë tjetër të grupit, i cili nuk vepron ndryshe nga urdhri i kryeministrit Berisha. Oketa disa herë ka shprehur rezerva për vendime të grupit dhe këtë herë ai nuk pranoi të votonte kundër një ish-kolegu dhe miku të tij. Ndërkohë Oketa shihet si një mbështetës i Topit brenda PD-së. Opozita ka vendosur të abstenojë për emrin e tij. Duke mbrojtur kandidaturën e tij në komisionin e Ekonomisë pak ditë më parë, Shehu tha se ai paragjykohet ngaqë është mik me Bamir Topin. Ish-deputeti i PD-së dhe akoma një anëtar i kësaj partie, siç konstatoi Flamur Noka, Sali Shehu e mbrojti vendimin e presidentit, por ish-kolegëve të tij demokratë u tha që qëndrimet që kanë kundër Topit le tia thonë atij personalisht. Unë i dëgjova opinionin e kolegëve me të cilët kemi qenë në një llogore. Presidenti ka bërë apo jo detyrën, nuk është për mua, gjithsesi kjo është zgjedhje personale. Unë e lidh këtë qëndrim me ftesën që më bëri dje kryeministri për të dhënë dorëheqjen nga detyra. Unë kam ngrënë bukë me pak se të tjerët në shtëpinë e tij, tha ai.
