E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca tregon forcën më 1 maj

07/04/2010 Strukturat e partive të mazhorancës nisin përgatitjet për manifestimin e 1 majit

Synohet të tregohet mbështetja që ka koalicioni në elektorat

Manifestimi i 1 Majit, i lajmëruar nga nënkryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryetar i grupit të saj parlamentar, ka vënë në lëvizje jo vetëm strukturat e PD në qendër dhe bazë por dhe ato të koalicionit qeverisës. Me qëllim që gjithçka të shkojë sa më mirë, sa më pranë perfeksionit, prej disa ditësh kanë nisur kontaktet dhe takimet mes zyrtarëve të niveleve të dyta e të treta të partive aleate. Burimet bëjnë me dije se edhe përgjegjësitë e organizimit do të caktohet në bazë të peshës së secilës partive politike, pjesëtare e mazhorancës qeverisëse. Duke pasur parasysh se vetëm një ditë më parë, në Tiranë do të zhvillohet mitingu-protestë i opozitës, synimi është për të treguar një forcë më të madhe të mazhorancës. Çdo strukturë e Partisë Demokratike, por edhe të partive të tjera të djathta, në kryeqytet dhe në rrethe të tjera, kanë marrë udhëzime për të mbledhur sa më shumë përkrahës. Festa e 1 Majit duhet të tregojë se mazhoranca vërtet gëzon mbështetjen e popullit, ndryshe nga sa mund të përkrahet protesta e opozitës. Ndërkohë që më 30 prill të majtët në pakicë parlamentare do të protestojnë për mungesën, sipas tyre, të transparencës së zgjedhjeve përmes hapjes së kutive, mazhoranca një ditë më pas do të festojë sukseset e saj. Mazhoranca është e vendosur të mos lejojë, sipas saj, që orekset dhe dështimet e kryesocialistit Edi Rama të shndërrohen në një dramë kombëtare. Prandaj, për ta shndërruar 1 Majin në festë të vërtetë të mazhorancës, janë zhvilluar takime të shpeshta mes përfaqësuesve të partive aleate. Një ndër problemet që ende nuk është zgjidhur, lidhet me vendin ku do të zhvillohet mitingu festiv i mazhorancës. Duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në sheshin “Skënderbej”, ku Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama, ka nisur punimet për ta rikonstruktuar, festa mund të zhvendoset në një tjetër shesh të madh të kryeqytetit. Do të ishte hera e parë që PD-ja do të zhvillonte një miting të saj, në një tjetër shesh. “Skënderbej” ka qenë gjithnjë i përzgjedhuri i demokratëve, por gropa që ka nisur të hapet në të mund ta vështirësojë këtë zhvillim. Kështu, me shumë siguri mitingu festiv do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”. Zyrtarë të lartë të mazhorancës kanë deklaruar se manifestimi do të ruajë simbolikën e datës 1 Maj (Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve). Më 1 Maj do të nderohet puna e të gjithë shqiptarëve, anëtarësimi i vendit në NATO, përshpejtimi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe liberalizimi i vizave.

Manifestimi i LRI

Ndërkohë që më datë 26 prill, një tjetër manifestim ishte menduar që të kryhej në sheshin skëdnërbej, këtë radhë nga LRI, forumi rinor i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithsesi, burime nga kjo forcë politike thanë dje se, ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me këtë tubim, pasi kreu i Lëvizjes mund të ketë një përplasje axhende në këtë datë, për sa i përket detyrimeve të tij si Ministër i Jashtëm. Gjithsesi të rinjtë e LRI-së janë ende në pritje të udhëzimit që do japë kreu i partisë, për të filluar më pas përgatitjet për tubimin e datës 26 prill, ku kjo forcë politike ka deklaruar se do sjellë 5 mijë të rinj nga i gjithë vendi

Festë e muzikë

Manifestimi i 1 Majit do të shndërrohet në një festë të madhe muzikore. Mësohet se mitingu do të nisë me muzikë dhe më pas krerët e mazhorancës do të mbajnë fjalimet e rastit. Menjëherë pas këtij momenti tradicional të një mitingu, do të nisë festa e vërtetë. Janë dhënë porosi të veçanta që në festë të marrin pjesë grupet më të mira muzikore shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Pritet që edhe në këtë miting festiv të mos mungojë grupi që ndoqi nga afër fushatën e fundit elektorale të PD-së, “Elita 5”. Sipas porosive, mbrëmja e 1 Majit për përkrahësit e mazhorancës duhet jetë një festë e vërtetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›