E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e privatizimit, ja sasitë për qytetarët

07/04/2010 Përveç filialeve në Tiranë, Raiffeisen Bank vë në dispozicion edhe 5 degë në rrethe

Qytetarët duhet të paraqiten me një dokument identifikimi dhe atë të dorëzimit

Të gjithë qytetarët që kanë depozituar bono privatizimi në kompanitë investuese deri në vitin 1998 do të mund ti tërheqin ato në sportelet e Raiffeisen Bank deri në datën 30 shtator, ndërkohë që sasia e bonove që gjenden në këtë bankë përputhet me ato që janë depozituar. Burime zyrtare nga kjo bankë deklaruan dje për gazetën “Metropol” se situata në përgjithësi paraqitet e qetë dhe nuk ka fluks të lartë qytetarësh në sportelet e filialeve të përcaktuara për shpërndarjen e këtyre bonove. Nga ana tjetër edhe gjendja e bonove të privatizimit që gjenden në bankë është e mjaftueshme për të gjithë ata që i kanë depozituar këto letra me vlerë në kompanitë investuese. Në plotësim të udhëzimit të dalë nga ministri i Financave, qytetarët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi pasaportë ose kartë identiteti si dhe dokumentin që kanë depozituar bonot. Duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë nga depozitimi i këtyre bonove dhe dokumenti i lëshuar nga kompania mund të ketë humbur, atëherë në sportel do të plotësohet një deklaratë personale. Në këtë deklaratë të interesuarit do të saktësojnë shumën e bonove të depozituara dhe më pas do të mund ti tërheqin ato. Gjithashtu, mësohet se kjo bankë ka vënë në dispozicion të këtij procesi katër pika të ndryshme në të gjithë Tiranën, si dhe pesë banka në qytete të ndryshme të vendit. Kështu, qytetarët mund të tërheqin bonot e depozituara në filialet e Raiffeisen Bank pranë ish-“Restorant Durrësit”, në “Porcelan”, në lagjen “Ali Demi” dhe pranë qendrës tregtare “Kristal” në komunën e Parisit. Ndërkohë për sa i përket rretheve është vendosur që qytetarët mund ti tërheqin bonot në filialet e Raiffeisen Bank në Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër. Kjo ndarje gjeografike është duke pasur parasysh edhe vendbanimin e pjesës më të madhe të personave që kanë depozituar në këto kompani investimi. Procesi i rishpërndarjes së bonove ka filluar më 1 prill të këtij viti dhe do të zgjasë 7 muaj deri më 30 shtator. Ndërkohë nga ana e tyre, bankat e nivelit të dytë do të raportojnë pas 30 shtatorit pranë Ministrisë së Financave për sasinë e bonove që janë shpërndarë dhe ato të mbetura. Për mbarëvajtjen e procesit të shpërndarjes së bonove të privatizimit, Ministria e Financave ka përgatitur një udhëzim, i cili përcakton të gjithë procesin. Udhëzimi në fjalë është përgatitur në kuadër të zbatimit të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në fund të vitit të kaluar. Ky ligj detyron ministrinë që të kthejë bonot e privatizimit tek individët dhe për të bërë të mundur këtë ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi.

Tarifa

Qytetarët duhet të paguajnë vetëm 150 lekë për të tërheqjen e bonove që kanë depozituar në kompanitë investuese në Shqipëri. Urdhri i Ministrisë së Financave për rishpërndarjen e bonove të privatizimit që janë depozituar në kompanitë investuese saktëson se janë vetë bankat që do të bëjnë shpërndarjen, të cilat do të vendosin edhe tarifën për shërbimin që do tu ofrojnë qytetarëve.

Kompanitë

Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet “Anglo-Adriatika”, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Tashmë, të gjitha këto bono të depozituara do rikthehen tek qytetarët.

Vlera

Pavarësisht se pagesa me bono privatizimi për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje sapo ka filluar interesi i qytetarëve për blerjen e tyre në treg është thuajse minimal. Kjo mungesë interesi ka bërë që vlera e bonove të shënojë menjëherë ulje dhe aktualisht vlerësohen me vetëm 11 për qind. Megjithatë, kjo vlerë shitje po ruan të njëjtin nivel prej të paktën 1 jave çka do të thotë se interesi i qytetarëve vazhdon të jetë i njëjtë, pasi po vijon procesi i pagesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara në zonat informale në të gjithë vendin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›