Mbahet protesta e 31-të kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Pas tensioneve të regjistruara gjatë paradites para Kuvendit, qytetarët janë mbledhur sërish pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar protestën e 31-të radhazi, e cila është zhvendosur në formë marshimi drejt Kryeministrisë.
Qytetarët janë organizuar në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe më pas kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, nën thirrjet kundër investimit në Zvërnec dhe kërkesat për dorëheqje të Kryeministrit.
Një nga organizatorët e protestës, Arben Kola i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke kërkuar njëkohësisht hapjen e rrugës për brezat e rinj në politikë.
Në fjalën e mbajtur gjatë tubimit, Kola deklaroi se largimi i Kryeministrit duhet të ndodhë përpara, siç u shpreh ai, çdo përshkallëzimi të mëtejshëm të reagimit qytetar.
Ai gjithashtu u shpreh se si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike duhet t’u lënë hapësirë figurave të reja.
“Lërjani radhën rinisë. Në PS e PD ka shumë të rinj që mund të qeverisin shumë më mirë se Rama dhe Saliu,” deklaroi Kola gjatë protestës.
Tubimi vjen pas incidenteve të raportuara më herët gjatë protestës para Kuvendit, ku u shënuan përplasje dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Gjatë ditës, situata ka qenë e tensionuar në disa momente përpara Parlamentit, ndërsa forcat e Policisë së Shtetit kanë monitoruar zhvillimet në terren.
Policia ka ndaluar 6 protestues me motivacionin e kundërshtimit të forcave të rendit, të cilët janë liruar pas disa orësh.
Dita 31 e protestës; Fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 20/gj.m/r.e/