Mbahet sot në Bruksel samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama

Sot në Bruksel mbahet Samiti i katërt i Bashkimit Evropian me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, një takim strategjik në prag të mbledhjes së fundit të Këshillit Evropian për këtë vit. Në këtë samit merr pjesë edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili është nisur drejt kryeqytetit belg që prej pasdites së djeshme.
Takimi, i kryesuar nga Presidenti i Portugalisë, António Costa, do të shërbejë për të riafirmuar partneritetin strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në samit do të jenë gjithashtu Presidenti i Këshillit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas.
Në përfundim të samitit pritet të publikohet një deklaratë përfundimtare, e cila do të mbështetet nga të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Samiti do të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar angazhimin e BE-së për perspektivën e anëtarësimit të rajonit. Diskutimet do të fokusohen tek përparimi i reformave, përafrimi me acquis, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Një temë kryesore do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i lançuar në vitin 2023, që synon të integrojë partnerët në tregun e vetëm të BE-së, të përforcojë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të stimulojë reformat përmes investimeve deri në 6 miliardë euro. Ky plan synon të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të afrohet konvergjenca socioekonomike midis rajonit dhe BE-së.
/rtsh.al/