Mbaron tranzicioni ekonomik, ikën FMN
Shqipëria kalon në një stad të ri, por largimi i FMN-së shoqërohet me skepticizëm mbi politikat ekonomike
Fondi Monetar Ndërkombëtar, përfundon misionin 17- vjeçar, duke u kthyer në asistues të disa parametrave
Qeveria nuk do të hartojë më politika buxhetore dhe fiskale nën “trysninë” e marrëveshjeve të nënshkruara me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Duke nisur nga fundi i këtij muaji, Shqipëria nuk do të ketë më asnjë marrëveshje me FMN-në, duke qenë më e pavarur në vendimet e saj. Drejtuesit e qeverisë nënshkruan dje një letër mirëkuptimi me përfaqësuesen e fondit në Tiranë, Ann Margret-Westin, për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në. Marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë dhe Fondit konsistonin në kryerjen e disa reformave, të cilat siguronin një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik. Në këmbim të zbatimit të këtyre reformave, Banka Botërore lëvronte kredi me kushte lehtësuese. Që nga viti 1991, kur Shqipëria u anëtarësua në FMN dhe Bankën Botërore, ka përfituar nga kjo e fundit rreth 1 miliard dollarë për 67 projekte.
Kryeministri Berisha e cilësoi nënshkrimin e dokumentit të djeshëm si fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare. Ndërsa vetë përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë, Ann Margarit-Westin, tha se Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim.
Përfundimi i misionit të FMN-së në Shqipëri, i paralajmëruar që gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, u prit me debat nga opozita dhe mediat, të cilat nuk ngurruan të akuzojnë qeverinë se nuk dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje tjetër me Fondin, pas asaj të vitit 2006. Ndërsa komuniteti i biznesit ka qenë gjithmonë kritik ndaj qeverive, duke i akuzuar ato si pasuese të verbra të politikave të FMN-së, në kurriz të tyre. Pasi Shqipëria kaloi në një stad të ri, ku PPB-ja për frymë arriti për 2007-n mbi 3400 dollarë dhe vendi nuk mund të përfitonte nga kreditë me terma të butë, qeveritë janë treguar më “kokforta”, duke marrë vendime, ose duke mos pranuar këshilla nga FMN-ja. Ulja e disa taksave dhe tatimeve, rritja e pagave dhe pensioneve, nuk janë preferuar nga FMN-ja, por qeveria është treguar e paluhatshme në vendimet, të cilat i konsideronte si të duhura për zhvillimin ekonomik të vendit. Por, problemi që ngrenë shumë ekspertë është se sa kjo qeveri, ose pasaardhësja do të jenë të afta të hartojnë politika që ruajnë parametrat makroekonomikë dhe sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike. Ministri i Financave Ridvan Bode, tha se Shqipëria kalon nga mbikëqyrja e drejtpërdrejtë dhe e hapur, në një mbikëqyrje të dy-tre parametrave kryesorë makroekonomikë. Vetë zyrtarët e FMN-së janë shprehur se do të asistojnë në vendin tonë edhe në të ardhmen.
Berisha:
Sot u firmos fundi i tranzicionit të një prej ekonomive më të centralizuara në Europë dhe në botë dhe tani ajo ecën me institucionet e maturuara të saj. Për një vend demokratik, nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një ekonomi solide tregu, pa të cilën ajo nuk mund të ekzistojë.
Westin:
Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim. Pavarësisht se sot mbyllim programin, ne do ta mbështesim Shqipërinë nëpërmjet konsultimeve apo programeve të asistencës.
Bode:
Sot ne i japim fund kësaj mënyre bashkëpunimi, për të gjetur forma të reja të bashkëpunimit me Fondin. Shqipëria kalon nga mbikëqyrja e drejtpërdrejtë dhe e hapur, në një mbikëqyrje të dy-tre parametrave kryesorë makroekonomikë.
FMN kundër Berishës: Rritja ekonomike vetëm 6%
TIRANË- Fondi Monetar Ndërkombëtar i qëndron parashikimit të tij se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2008, do të jetë 6%. Përfaqësuesja e fondit në Tiranë, An Margaret-Ëestin, tha dje se institucioni i qëndron këtij parashikimi. “Treguesit flasin për një rritje ekonomike, deri në fund të tremujorit të tretë, prej rreth 10 për qind. Ka diçka, treguesit tremujor të PBB-së, mbështeten në disa indikatorë dhe këta indikatorë janë më të ngushtë sesa ata, me të cilët matet rritja vjetore e PBB-së. Ka një tendencë që treguesit tremujor të jenë më të luhatshëm”, - tha Ëestin. Sipas saj, është krejtësisht e natyrshme që, meqenëse është hera e parë që ato publikohen, këto rezultate do të jenë subjekt i rishikimeve. “Arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse, që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh”, - deklaroi ajo. Ndërsa kryeministri Berisha tha se në Shqipëri ka ekzistuar një nënvlerësim i rritjes ekonomike dhe se deklarimi i shifrës duhet të jetë atribut i INSTAT-it. “Parashikimet janë të pranueshme, sepse për të parashikuar vitin 2009, ose për të përcaktuar buxhetin dhe politikat e vitit të ardhshëm, duhet të bazohesh mbi parashikimin dhe jo të presësh rezultatin vjetor, i cili del nga muaji mars”, - tha Berisha.