E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mberrin anija me tritol

Skandali me lejet e eksplozivëve, firma nën hetim sjell 20 tonë tritol. Shkarkimi i lëndës plasëse ka nisur dje në kushte jo shumë të sigurta sigurie, pasi porti nuk ka as kalatë të veçantë për përpunimin e lëndëve plasëse

DURRËS - Firma “Nitromak”, e përfshirë në skandalin e dhënieve të lejeve të lëndëve plasëse, që pak javë më parë i kushtoi prangat njërit prej drejtorëve të lartë të Ministrisë së Brendshme, Shkëlzen Madanit dhe oficerit madhor, Kadri Sulit, vazhdon e qetë punën, duke sjellë tonelata eksplozivi. Një anije turke u fut dje në kalatën nr. 6 të portit dhe ka filluar shkarkimin e një sasie prej rreth 20 tonësh material që përbëhet nga lëndë plasëse. Sasia e kësaj lënde plasëse është ngarkuar në kamionë, të cilët më pas janë nisur në kantierin ku punohet për aksin Rrëshen-Kalimash. “Dogu Haslaman” është emri i anijes turke, e cila ka sjellë për llogari të firmës “Nitromak” sasinë e lëndës plasëse. Burime nga porti kanë bërë të ditur se janë rreth 20 tonë lëndë, e cila do të shërbejë për shpërthimet e planifikuara në tunelin e aksit rrugor Spaç-Thirrë. Lënda plasëse është përpunuar nga elektrovinçat e portit në mes të ditës dhe në kushte të pakta sigurie. Arsyeja është se porti nuk ka një kalatë të veçantë për përpunimin e materialeve të rrezikshme, prandaj është kryer në kalatën nr. 6. Para disa ditësh, një nga kamionët e kompanisë “Nitromak” ra në një humnerë në fshatrat e Mirditës, por për fat lënda plasëse nuk shpërtheu. Firma ka marrë me qira një ambient në Borizan të Krujës, për magazinimin dhe prodhimin e lëndëve plasëse, ambient i cili ka qenë repart kundërajror i ushtrisë.

Me gjithë kërkimet e gazetës “Korrieri”, e vetmja pikë që mbeti ende e pazbardhur, është dyshimi se dhe ngarkesa e fundit e sjellë nga Turqia për llogari të firmës “Nitromak”, është porosi e përfituar nga lejet e dyshimta të lëshuara nga ish-drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, i vënë në pranga në fillim të këtij muaji, së bashku me kolonel Kadri Sulin, komandant i brigadës logjistike nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe me përfaqësuesen e firmës “Nitromak”, Aurela Çota dhe administratorin e firmës “Geoconsult Sh.p.k”, Ferdinand Hodo. Për katër të arrestuarit e datës 3 maj, gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “burg pa afat”, pas hetimeve disamujore të bëra nga struktura të specializuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorisë. Akuzat për të arrestuarit që dyshohet se u përfshinë në skandalin e lejeve të lëndëve plasëse ishin “korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike”, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim i detyrës”. Nga katër të arrestuarit për këtë çështje, vetëm përfaqësuesja e firmës “Nitromak”, Aurela Çota, u la të ndiqet në arrest shtëpie nga gjykata, gjatë kohës që organi i akuzës do të vazhdojë të kryejë hetimet në lidhje me lejet korruptive dhe shkeljet e tjera që dyshohet se janë dhënë nga përfaqësuesi e Ministrisë së Mbrojtjes, Madani dhe oficeri madhor, Kadri Suli. Sidoqoftë, hetimet e dosjes “Nitromak” vazhdojnë ende, po ashtu edhe puna e firmës në fjalë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›